Analize

A funksionon strategjia izraelite e ‘prerjes së kokave’ të regjimit itanian?

Gazeta Si – Çdo ditë, Irani përballet me më shumë se 500 sulme ajrore, çdo ditë humb një figurë të lartë të regjimit dhe sfida ndaj Izraelit dhe SHBA-ve mbetet e njëjtë ose më e fortë. “Nuk do të jemi ne që do të kërkojmë negociata”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abass Arragchi.

Ndërsa udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, shton: “Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara duhet të gjunjëzohen dhe të paguajnë dëmet”.

Duke i dëgjuar, duket se “prerja e kokës së gjarprit” nuk sjell shumë efekt. Irani ngjan më shumë me një hidër. Për çdo kokë që humbet, shfaqen dy të tjera.

Sipas analistëve, Teherani bazohet në faktin që SHBA-të dhe Izraeli do të lodhen. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit rrit çmimin e naftës dhe e bën luftën më të vështirë për amerikanët dhe aleatët e tyre.

Kjo nuk i mbron qytetarët e zakonshëm iranianë, as liderët e vrarë të teokracisë shiite, por nervozon tregjet, e vështirëson gjendjen për vendet e Gjirit dhe zemëron bazën elektorale të “Trumpistëve”.

Ajatollahët qëndrojnë të palëkundur, pa mbulim nga mbrojtja ajrore, duke humbur udhëheqës një nga një, por nuk kërkojnë falje. Pyetja që lind është: kush po fiton, ai që vret apo ai që vritet?

Presidenti amerikan, Donald Trump shfaqet optimist, por edhe kontradiktor. Shkollat e mendimit jashtë Shtëpisë së Bardhë janë të ndara.

Analistët amerikanë dhe evropianë janë skeptikë, disa kritikojnë. “Eliminimi i udhëheqësve mund të prodhojë një regjim më të lënduar, por më paranojak dhe të rrezikshëm”, thotë Karim Sadjadpour.

Vali Nasr, një tjetër analist i njohur për Iranin, pajtohet. Eliminimi i liderëve çon në radikalizim më të madh. Disa mendojnë se ideja e luftës është e gabuar; sipas ish-ambasadorit amerikan në Jeruzalem, Dan Shapiro, Trump duhet të shpallë fitore dhe të kthehet në shtëpi.

Sulmi ndaj Iranit është lufta më e papopullarizuar në SHBA në 70 vitet e fundit, me mbështetje që varion nga 27% në 44%.

Në Izrael, mbështetja për luftën mbetet e fortë, mbi 80%, edhe pse vendi goditet nga disa raketa iraniane. Qëllimi kryesor nuk ka qenë ndryshimi i regjimit, por rritja e sigurisë së vendit.

Shembulli i Gazës është ilustrues: Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) eliminuan të gjithë udhëheqësit e njohur të Hamasit, por lëvizja ende ekziston dhe lufton.

E njëjta eksperiencë me Hezbollahun: pas katër muaj bombardimesh dhe vrasjeve të udhëheqësve, organizata është ende aktive.

Zehavi thekson se një shembull fitoreje për Izraelin është lufta kundër ISIS-it. Edhe pas eliminimit të qindra liderëve, milicët ekzistojnë dhe synojnë të shkatërrojnë Izraelin.

Sipas tij, suksesi matet me dobësimin e kapaciteteve ekonomike dhe ushtarake të atyre që synojnë shkatërrimin e shtetit izraelit.

Nëse pas “prerjeve të kokave” ndryshon edhe udhëheqja e regjimit iranian, më mirë; në të kundërt, mjafton që struktura ekonomike dhe fuqia e tyre të dëmtohet, që Izraeli të ketë arritur një fitore strategjike.

Burimi: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë