Menaxhim

Energjia/ Vetëm prodhimi vendas po amortizon rritjen e çmimeve në Shqipëri

Ndryshe nga shumë vende të kontinentit, Shqipëria momentalisht mbetet në një pozicion relativisht të qëndrueshëm për shkak të prodhimit vendas, megjithatë e ndjeu shpejt rritjen e çmimeve të elektricitetit. Rritja më e fortë ndodhi ditët e para të luftimeve, kur brenda 24 orës, çmimi mesatar për megavat-orë  në bursën shqiptare, u rrit nga 58.25 euro në 140.92 euro, duke shënuar një rritje prej më shumë se 140%.

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e çmimeve të energjisë në Europë ka nisur të reflektohet disi edhe në Shqipëri, teksa tensionet në Lindjen e Mesme dhe temperaturat e ulëta po krijojnë një klimë gjithnjë e më të vështirë për tregjet energjetike.

Ndryshe nga shumë vende të kontinentit, Shqipëria momentalisht mbetet në një pozicion relativisht të qëndrueshëm për shkak të prodhimit vendas, megjithatë e ndjeu shpejt rritjen e çmimeve të elektricitetit. Rritja më e fortë ndodhi ditët e para të luftimeve, kur brenda 24 orës, çmimi mesatar për megavat-orë  në bursën shqiptare, u rrit nga 58.25 euro në 140.92 euro, duke shënuar një rritje prej më shumë se 140%.

Momentalisht (10 mars) sipas ALPEX, çmimi i energjisë arrin deri në 245 euro, gjatë orëve të mbrëmjes.

Përfaqësues të Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, në një komunikim me Gazetasi.al, deklaruan se vendi ndodhet në një situatë relativisht të favorshme energjetike dhe po eksporton mesatarisht rreth 3.600 megavat-orë në ditë. Që nga fillimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, Shqipëria ka regjistruar një kërkesë ditore prej rreth 13.000 megavat-orësh dhe nuk ka kryer blerje të energjisë nga jashtë.

Sipas KESH, treguesit energjetikë në vend janë mbi mesatare dhe situata pritet të mbetet e stabilizuar edhe gjatë muajve në vijim. “Bazuar në të dhënat aktuale hidrologjike dhe në ecurinë e prurjeve, vlerësohet se periudha e pranverës do të mbyllet me tregues energjetikë në përputhje me vlerat e parashikuara në Rregulloren e Plotave për administrimin e rezervave ujore në kaskadën e Drinit”, raporton KESH.

Europa

Në nivel europian, situata është dukshëm më e tensionuar. Lufta në Lindjen e Mesme, e kombinuar me temperaturat e ulëta, po krijon kushtet më të vështira për tregun energjetik në Europë që nga kriza e vitit 2022.

Përveç rritjes së çmimit të naftës dhe gazit, vendet europiane po përballen edhe me një rritje të ndjeshme të kostos së elektricitetit, duke e bërë kontinentin një nga rajonet më të ekspozuara ndaj zhvillimeve gjeopolitike në rajonin e Gjirit Persik.

Shumë vende europiane kanë regjistruar rritje të papritura të çmimeve të energjisë elektrike. Në Itali, çmimi mesatar në bursë ka arritur rreth 180 euro për MWh, në Zvicër rreth 155 euro, ndërsa në Gjermani rreth 140 euro për MWh. Megjithatë, këto janë vetëm mesatare ditore. Gjatë orëve të caktuara, veçanërisht kur prodhimi nga energjia diellore është i ulët dhe kërkesa rritet, çmimet mund të arrijnë nivele shumë më të larta. Në Gjermani, për shembull, gjatë disa orëve të ditës çmimi i energjisë ka kaluar 400 euro për MWh.

Eksperti gjerman i energjisë, Julien Jomaux, shpjegon se kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe rrezikut të bllokimit të Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë. Sipas tij, frika për ndërprerje të furnizimit ka bërë që tregjet e gazit të reagojnë menjëherë, duke rritur ndjeshëm çmimet brenda pak ditësh.

Tendenca e rritjes është e dukshme në shumë bursa europiane të energjisë. Në bursën hungareze HUPX, çmimi mesatar i energjisë ka arritur në rreth 137.27 €/MWh, ndërsa në bursën greke Hellenic Energy Exchange çmimi është rreth 85 €/MWh, duke reflektuar një rritje më të moderuar.

Sipas ekspertëve, ndikimi i rritjes së çmimeve nuk është i njëjtë për të gjitha vendet, pasi varet nga struktura e prodhimit energjetik dhe burimet kryesore që përdor secili shtet.

Nafta në nivele rekord

Ndryshe nga tregu i elektricitetit, Shqipëria nuk është e mbrojtur në mënyrë efektive nga rritja e çmimeve të karburanteve. Në fakt, vendi shpesh reflekton ndryshimet në çmimet globale më shpejt se shumica e vendeve europiane.

Më 9 mars 2026, çmimi i naftës në botë kaloi 100 dollarë për fuçi, ndërsa në Shqipëri litri i naftës po tregtohej me 198 lekë. Pas deklaratës së Donald Trump për uljen e çmimeve, nafta në tregun ndërkombëtar ra në rreth 93 dollarë për fuçi, por në Shqipëri çmimi mbeti i pandryshuar, duke nxjerrë në pah vulnerabilitetin e tregut vendas.

Ekspertët e ekonomisë dhe disa ligjvënës e kanë cilësuar tregun e karburanteve në vend si një “kartel”, që spekulon me çmimet në kurriz të qytetarëve.

Europa

Në Europë, situata është po ashtu e ndjeshme, por shumë vende kanë mekanizma mbrojtës ndaj rritjes së çmimeve. Çmimi i naftës Brent raportohet rreth 92 dollarë për fuçi, ndërsa për naftën WTI (Teksasi) rreth 88 dollarë për fuçi. Për ta kthyer këtë në çmim për konsumatorin final, një litër naftë kushton rreth 1.5–2 euro, varësisht vendit, taksave dhe marzhit tregtar.

Për të shmangur përjetimin e një krize të ngjashme me vitin 2022, disa vende kanë vendosur kufij dhe marzhe të kontrolluara fitimi për tregtarët e karburanteve.

 Qeveria e Kosovës ka vendosur një marzh maksimale fitime për kompanitë e karburanteve; deri në 2 centë për litër për shitjet me shumicë dhe deri në 12 centë për litër për pakicën. Qeveria hungareze vendosi një kufi çmimi po ashtu, 1.81 euro/litri i naftës dhe 1.75 euro i benzinës.

Në foto: Pikë karburantesh e kompanisë ExFis, në Prishtinë/REL

Gazi

Çmimi i gazit ka përjetuar një rritje të fortë në të gjithë botën, që preku menjëherë edhe Shqipërinë. Në pikat e karburanteve në Shqipëri, një litër gaz, që më herët shitej me 49 lekë, tashmë kushton nga 55 në 65 lekë, sipas kompanive.

Më nisjen e luftës në rajonin më të rëndësishëm të gazit në botë, ishte pikërisht kjo lëndë që pësoi goditjen më të madhe. Në tregjet botërore, brenda apk orësh gazi u shtrëenjtua më shumë se 80%.

Deklarata e djeshme e Trump shkaktoi një rënie me 15% të çmimit të gazit, i cili qëndron në bursën gjermane shitet me 48 euro nga 62, një ditë më parë. Me pakice, çmimi i gazit në qytetet europiane shkon rreth 0.40 euro/litër.

Ndërprerjet e prodhimit të gazit në Katar, si dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit,  paraqesin rreziqe të konsiderueshme për Europën, e cila është bërë gjithnjë e më shumë e varur nga importet e LNG, pas reduktimit të varësisë nga gazi i tubacioneve nga Rusia.

Nivelet e magazinimit të gazit në të gjithë kontinentin janë aktualisht nën 30%, duke rritur ndjeshëm vulnerabilitetin e vendeve europiane. Shenja të hershme të kufizimeve në furnizim po shfaqen gjithashtu në rajone të veçanta, siç është Transnistria, territori separatist i Moldavisë, i cili paralajmëroi për mungesa të mundshme të gazit.

Rritet edhe çmimi i qymyrit

Paralelisht me gazin dhe elektricitetin, Europa po përballet edhe me një rritje të ndjeshme të çmimit të qymyrit, një lëndë djegëse që mbetet thelbësore për prodhimin e energjisë në vende si Gjermania, Polonia dhe Çekia.

Për shkak të pasigurive në furnizimin me gaz nga Lindja e Mesme, disa vende europiane janë detyruar të rrisin përdorimin e centraleve me qymyr, duke nxitur kështu rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çmimi i qymyrit për Europën Veriperëndimore është rritur me 16%, duke arritur në rreth 133.18 dollarë për ton, ndërsa rritja totale që nga fundi i javës së kaluar arrin në rreth 26%. Ndër përfituesit kryesorë të kësaj rritjeje janë vendet eksportuese si Indonezia, Australia dhe Shtetet e Bashkuara. Indonezia dhe Australia kontrollojnë respektivisht rreth 48% dhe 18% të eksporteve globale të qymyrit, duke përfituar drejtpërdrejt nga çmimet më të larta.

Analistët presin që rritja e çmimeve të energjisë të jetë më e moderuar se gjatë krizës së vitit 2022, pasi ndërprerjet e mundshme në Lindjen e Mesme mund të rezultojnë kryesisht të përkohshme. Megjithatë, banka investuese UBS paralajmëron se çmimi i qymyrit termik mund të rritet më tej nëse konflikti vazhdon dhe çmimet e gazit mbeten të larta.

Në të njëjtën kohë, Indonezia ka propozuar një ulje të prodhimit të qymyrit për vitin 2026 në rreth 600 milion ton, rreth 24% më pak se një vit më parë, një faktor që mund të shtojë presion shtesë mbi çmimet globale.

Ndërkohë, edhe parashikimet për gazin natyror mbeten të pasigurta. Banka amerikane JPMorgan Chase vlerëson se çmimi i gazit në Europë mund të arrijë deri në 60 euro për MWh, nëse rrugët kryesore të transportit të energjisë mbeten të bllokuara për një periudhë më të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë