Nga Gazeta ‘SI’ – Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme kanë rikthyer pasigurinë në tregjet globale të naftës, duke goditur veçanërisht ekonomitë e vogla, si në rastin e Shqipërisë.
Në një analizë nga qendra kërkimore ALTAX, shqyrtohet se si një krizë e karburanteve mund të transmetohet në ekonominë shqiptare në tre skenarë zhvillimi. Ndikimi nuk do të kufizohet vetëm tek nafta, por do të prekë konsumin, investimet, stabilitetin fiskal dhe politikën monetare.
I pari, efekti fillestarë (0-6 muaj) që do të prekë menjëherë çmimet nga nafta tek ushqimet për t’u shtrirë tek kategoritë e tjera. Në këtë periudhë ekziston rrezik real për zgjerim të marzheve tregtare, duke qenë se pasiguria dhe volatiliteti përdoren si argument për rritje paraprake çmimesh. Pritshmëritë negative mund të përforcojnë ciklin inflacionar përtej ndikimit të pastër të kostos.
Përtej faktorëve objektivë të kostos, dinamika e pritshmërive luan rol të rëndësishëm në Shqipëri. Përvoja e krizave të mëparshme ka treguar se tregu reagon shpesh mbi bazën e parashikimeve, jo vetëm të fakteve të konsumuara.
Skenari afatmesëm, 6–18 muaj, ekonomia fillon të ndjejë me të vërtetë efektet e kësaj krize. Konsumi real fillon të ngadalësohet, pasi të ardhurat nuk arrijnë të kompensojnë rritjen e çmimeve. Shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta reduktojnë shpenzimet diskrecionale, duke ndikuar në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve. Pasiguria mbi kostot dhe kërkesën e ardhshme rrit hezitimin në investime private. Projektet shtyhen ose rishikohen, ndërsa kreditimi bëhet më selektiv. Në të njëjtën kohë, presioni mbi bizneset e vogla mund të nxisë shtim të informalitetit si mekanizëm mbijetese, duke dobësuar më tej bazën tatimore dhe transparencën e tregut.
Në projeksionin afatgjatë, ekpsertët argumentojnë se kriza nuk do të ketë më vetëm ndikim ciklik, por transformues. Do të rritet presioni për ristrukturim të burimeve energjetike, përfshirë diversifikimin e furnizimeve dhe forcimin e kapaciteteve të brendshme prodhuese. Debati mbi sigurinë energjetike, rezervat strategjike dhe integrimin rajonal do të fitojë peshë më të madhe në agjendën ekonomike. Njëkohësisht, do të bëhet e domosdoshme forcimi i mekanizmave anti-spekulativë dhe rritja e transparencës në zinxhirët e furnizimit për të shmangur amplifikimin e goditjeve të jashtme.
Risqet fiskale dhe monetare
Studimi i ALTAX evidenton edhe rreziqet fiskale me të cilat mund të përballet Shqipëria.
Në fazën e parë, rritja e çmimeve të karburanteve sjell automatikisht rritje nominale të të ardhurave nga TVSH-ja dhe akcizat, pasi taksat aplikohen mbi një vlerë më të lartë. Në pamje të parë, buxheti përfiton nga inflacioni.
Megjithatë, ky efekt është i përkohshëm dhe i pjesshëm. Rritja e çmimeve ul konsumin real, veçanërisht te familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Me kalimin e kohës, baza reale e tatueshme ngushtohet, ndërsa rritet presioni social dhe politik për ndërhyrje buxhetore.
Qeveria mund të përballet me kërkesa për subvencionim të energjisë dhe karburanteve, mbështetje për sektorë të ndjeshëm si bujqësia dhe transporti, si dhe masa lehtësuese për familjet vulnerabël. Nëse këto masa nuk janë të targetuara dhe të përkohshme, ato mund të përkeqësojnë deficitin fiskal dhe të rrisin borxhin publik në një mjedis tashmë të pasigurt ndërkombëtar.
Banka e Shqipërisë përballet me dilemë klasike: shtrëngimi monetar mund të ngadalësojë rritjen ekonomike ndërsa politika më akomoduese mund të ushtrojë më shumë presion mbi inflacion. Hapësira për manovrim është e kufizuar sepse inflacioni, i ndikuar nga jashtë, do të jetë e pamundur të kontrollohet nga politika monetare vendase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje