Një përshkallëzim i konfliktit në Lindjen e Mesme po vë në sprovë bankat qendrore globale, pasi frika nga një goditje e çmimeve të naftës dhe rikthimi i rreziqeve inflacioniste po ua ndërlikon atyre vendimmarrjen për mbështetjen e rritjes ekonomike.
Çmimet e naftës u rritën të hënën, pasi SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme ndaj Iranit gjatë fundjavës, duke vrarë Udhëheqësin Khamenei. Teherani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj disa vendeve të Gjirit.
Trafiku i cisternave në Ngushticën e Hormuzit, pika më kritike në botë për transportin e naftës, është pothuajse i bllokuar, pasi kërcënimet nga Irani kanë dekurajuar kalimin e anijeve.
Bankat qendrore në alarm
Me tensionet që rëndojnë mbi aktivitetin ekonomik, politikëbërësit po përpiqen të balancojnë rrezikun e inflacionit me ngadalësimin e rritjes.
Banka Qendrore Europiane (BQE) po përballet me një “dilemë të vërtetë”, sipas ekonomistëve, një goditje e naftës mund të rrisë inflacionin ende të lartë, ndërsa perspektiva e rritjes dobësohet nga tarifat më të larta amerikane. Për një rritje normash, ekonomia e eurozonës do të duhej të tregonte qëndrueshmëri të qartë.
Anëtari i Këshillit Drejtues të BQE-së, Pierre Wunsch, deklaroi se zyrtarët nuk do të reagojnë me nxitim ndaj lëvizjeve të çmimeve të energjisë, por do të vlerësojnë nëse rritja është e qëndrueshme.
Ish-sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen, paralajmëroi se konflikti mund të godasë rritjen ekonomike të SHBA-së dhe të ushqejë inflacionin, duke e bërë më të vështirë për Rezervën Federale të ulë normat e interesit. Inflacioni në SHBA ishte 2.4% në janar, mbi objektivin 2% të Fed-it. Yellen shtoi se tarifat e Presidentit Donald Trump mund ta çojnë inflacionin vjetor në të paktën 3%.
Që nga fillimi i vitit, nafta Brent është rritur me 36%, ndërsa ËTI me 32%.
Sipas Bank of America, nëse bllokimi i Ngushticës së Hormuzit zgjat, çmimi i Brent mund të kalojë 100 dollarë për fuçi, ndërsa gazi natyror në Europë mund të tejkalojë 60 euro për megavat/orë.
Ekonomitë aziatike do të preken veçanërisht, pasi shumica e naftës që kalon nëpër Hormuz shkon drejt Kinës, Indisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Sipas Goldman Sachs, nëse ngushtica mbyllet për gjashtë javë dhe nafta rritet nga 70 në 85 dollarë për fuçi, inflacioni në Azi mund të rritet me rreth 0.7 pikë përqindjeje. Filipinet dhe Tajlanda pritet të jenë më të rrezikuarat, ndërsa Kina do të ketë rritje më të moderuar.
Mburoja fiskale
Stimujt fiskalë dhe subvencionet mund të zbusin goditjen inflacioniste, veçanërisht nëse presionet e çmimeve mbeten të përmbajtura deri në vitin 2026.
Sipas ekspertëve, qeveritë mund të përdorin kontrollin e çmimeve, rritjen e subvencioneve, uljen e akcizës së karburantit ose tarifave të importit si linjë të parë mbrojtjeje.
Por subvencionet do të rëndonin më tej buxhetet publike tashmë të ngushta.
Cilën të keqe preferoni: inflacion më të lartë apo barrë fiskale? Këto janë zgjedhje politike që qeveritë duhet të bëjnë!/CNBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje