Menaxhim

Drafti/ Pse qeveria dështoi ta kthente Diasporën në një ‘motor zhvillimi’

Nga Gazeta ‘Si’- Një draft i ri i qeverisë, me fokus Diasporën, sjell një qasje më kritike ndaj politikave të deritanishme, duke pranuar se strategjia e mëparshme nuk arriti të prodhojë rezultatet e pritshme për shkak të koordinimit të dobët institucional, mungesës së mekanizmave të monitorimit dhe burimeve të pamjaftueshme financiare.

Në dokumentin e Strategjisë 2026-2030, theksohet se, megjithëse Shqipëria ka ngritur një kuadër të gjerë ligjor dhe institucional për diasporën, zbatimi i politikave ka qenë i fragmentuar. Institucionet kanë vepruar kryesisht brenda mandateve të tyre, pa një mekanizëm efektiv koordinimi, çka ka kufizuar ndikimin e përgjithshëm të strategjisë.

Aty theksohet se investimet e diasporës kanë mbetur nën pritshmëri. Dokumenti vëren se mungesa e instrumenteve financiare, mbështetja e pamjaftueshme institucionale dhe mungesa e një mekanizmi unik shërbimesh për investitorët e diasporës kanë penguar shfrytëzimin e potencialit ekonomik të shqiptarëve jashtë vendit. Edhe nismat ekzistuese vlerësohen si të dobishme, por të fragmentuara dhe me ndikim të kufizuar.

Strategjia pranon gjithashtu se marrëdhënia mes shtetit dhe diasporës vazhdon të ndikohet nga një nivel i ulët besimi. Sipas dokumentit, përvojat e emigracionit, burokracia, çështjet e pazgjidhura që lidhen me pronat, pensionet, shtetësinë dhe investimet kanë krijuar pritshmëri të papërmbushura dhe kanë dëmtuar besimin e një pjese të diasporës ndaj institucioneve shqiptare.

Një tjetër gjetje e rëndësishme është pranimi se progresi është matur kryesisht përmes aktiviteteve dhe jo përmes ndikimit real të politikave. Dokumenti kërkon krijimin e një sistemi të unifikuar monitorimi dhe statistikash për diasporën, në mënyrë që politikat të bazohen në të dhëna dhe rezultate konkrete.

Në strategjinë e re, qeveria synon ta trajtojë diasporën jo vetëm si burim remitancash, por si partner strategjik për zhvillimin ekonomik, transferimin e njohurive, inovacionin dhe integrimin evropian të vendit.

Dokumenti propozon politika të diferencuara për brezat e ndryshëm të diasporës, duke i kushtuar më shumë vëmendje profesionistëve dhe të rinjve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë