Të bësh fëmijë është një punë “lakmitare”, siç e quan ekonomistja Nobeliste, Claudia Goldin.
Një punë lakmitare është një punë që kërkon orë të gjata dhe të paparashikueshme. Por ndryshe nga “puna”, të jesh prind, nuk paguhesh dhe për fat të keq nuk bën dot dy punë njëkohësisht. Kjo krijon një dilemë.
Prindërit mundet që të bëjnë dy punë shumë kërkuese e të paguara mirë dhe t’ua besojnë fëmijët kujdestarëve profesionistë me kohë të plotë, gjë që është e kushtueshme si financiarisht ashtu edhe emocionalisht. Ose vetëm njëri prej tyre mund të bëjë një punë të tillë shumë të paguar e shumë kërkuese. Ose të dy mund të bëjnë punë më pak kërkuese dhe të pranojnë të ardhura të ulëta familjare. Ose thjesht mund të mos kenë fare fëmijë.
Këto zgjedhje janë rezultat i mundësive që për gratë para Luftës së Dytë Botërore pothuajse nuk ekzistonin. Në shumicën e vendeve, ato janë edhe më të vonshme. Ato janë një nga arsyet pse, siç vëren një raport i OECD-së i vitit 2024, “Shkalla totale e fertilitetit është përgjysmuar nga 3.3 fëmijë për grua në vitin 1960, mesatarisht në OECD, në 1.5 në vitin 2022.”
Rënia globale e fertilitetit
Me shumë gjasë, kjo rënie e fertilitetit në vendet me të ardhura të larta (dhe në shumë të tjera), së bashku me rritjen e shpejtë të popullsisë së Afrikës, kontinenti më i varfër, është zhvillimi më i rëndësishëm që po ndodh sot për njerëzimin. Ka shumë shpjegime për rënien afatgjatë të lindshmërisë: ulja e vdekshmërisë foshnjore, urbanizimi masiv, varësia e zgjatur dhe e kushtueshme e fëmijëve, “gara e pamëshirshme” për të rritur fëmijë ekonomikisht të suksesshëm dhe, jo më pak e rëndësishme, mundësia për t’u mbështetur në forma të tjera sigurie në pleqëri, sidomos pensionet dhe azilet.
Por po aq vendimtar, sidomos për rëniet më të fundit drejt niveleve shumë të ulëta të fertilitetit, është konflikti midis mundësive të përmirësuara për gratë dhe pjesës joproporcionale të kostove ekonomike (dhe rreziqeve fizike) të fëmijëve që ato vazhdojnë të mbajnë.
Kështu, një studim për Anglinë nga prilli 2014 deri në dhjetor 2022 vëren se “të pasurit fëmijë çon në një ulje të ndjeshme dhe afatgjatë të të ardhurave të nënave; pesë vjet pas lindjes së fëmijës së parë, të ardhurat mujore ishin mesatarisht 42% më të ulëta, ose 1.051 paund në muaj më pak, krahasuar me një vit para lindjes.” Studimet e Institutit për Studime Fiskale tregojnë gjithashtu se “penaliteti i mëmësisë” është më i madh për nënat e vajzave, sepse kjo përforcon normat tradicionale gjinore.
Pabarazia gjinore në lindjen e fëmijëve
Një atlas global me 134 vende, i hartuar nga Henrik Kleven i Princeton-it dhe dy autorë të tjerë, gjen se “zakonisht, sa më të pasura bëhen vendet, “ndëshkimet” që vijnë nga lindja e fëmijëve bëhen shtytësi kryesor i pabarazisë gjinore”. Madje, një studim vetëm për Danimarkën, gjithashtu me Kleven, vëren se “pjesa e pabarazisë së të ardhurave gjinore e shkaktuar nga të pasurit fëmijëve është dyfishuar me kohën, nga rreth 40% në vitin 1980 në rreth 80% në 2013.” Pra, edhe në Danimarkë penaliteti i mëmësisë mbetet i madh dhe i qëndrueshëm. Me gjasë si rezultat, shkalla e fertilitetit atje ra në 1.5 në vitin 2025, megjithëse Danimarka ka një nga shtetet sociale më bujare në botë.
Pra, gratë paguajnë një çmim më të lartë për të pasur fëmijë. Për më tepër, sipas një raporti të OECD-së, “kostoja e fëmijëve është vazhdimisht më e lartë për familjet me një prind.” Natyrisht, atëherë, besueshmëria e partnerëve është gjithashtu vendimtare, siç ka argumentuar Goldin. Gjithashtu, nëse dikush dëshiron një kujdestar në pleqëri, sipas studiuesve të University College London, të kesh vetëm një fëmijë është më mirë.
Pra, ekonomia është kundër një angazhimi të madh për lindjen e fëmijëve, sidomos për gratë. Kësaj i shtohen ndryshimet në vlera, përfshirë dallimet mes burrave dhe grave dhe rënia e besimit fetar.
Në këtë kontekst, sipas një editoriali të fundit në VoxEU, “politika si subvencionimi i kujdesit për fëmijët, zgjerimi i kredive tatimore për fëmijët ose bonuset e lindjes mund të lehtësojnë barrën financiare dhe të përmirësojnë mirëqenien familjare'”. Por ndryshimet graduale në këta faktorë nuk janë shoqëruar me rritje të qëndrueshme të fertilitetit. Nevojitet diçka më e madhe. Autorët sugjerojnë se kjo mund të kërkojë “një riformësim dramatik të shoqërisë, në mënyrë që prindërimi të bëhet më i pajtueshëm me një jetë të plotë dhe të lulëzuar të të rriturve”, sipas kuptimit të sotëm.
Pra, çfarë duhet bërë?
Në vendet me fertilitet shumë të ulët, sidomos ato që duan të shmangin emigracionin masiv, nevojitet urgjentisht një përpjekje sistematike për të ulur kostot për prindërit dhe, mbi të gjitha, për të reduktuar ndëshkimet ndaj grave. Sa efektive do të jetë kjo është e paqartë, megjithëse ia vlen të provohet.
Politika të ngjashme mund të funksionojnë edhe në vendet me fertilitet mbi 1.5. Megjithatë, për arsyet e përmendura më parë, kjo është më pak urgjente: një rënie e butë e popullsisë, sipas mendimit tim, do të ishte e pranueshme. Por, sidomos aty ku fertiliteti ka qenë shumë i ulët, do të jetë jetike që të moshuarit të punojnë më gjatë. Kjo do të sillte përfitime të mëdha edhe për vetë të moshuarit. Po ashtu, thelbësore do të jetë përmirësimi i shëndetit në pleqëri, sidomos ulja e barrës së madhe të demencës.
Në mënyrë të pashmangshme, kombinimi i një bote të pasur që plaket me një botë në zhvillim më të re do ta bëjë emigracioni çështje urgjente. Por duhet vënë re se edhe emigrantët plaken, kështu që kjo nuk mund të jetë një përgjigje e qëndrueshme ndaj fertilitetit të ulët, përveç nëse pranohet një transformim i vazhdueshëm i përbërjes etnike të një vendi. Pavarësisht nëse pëlqehet apo jo, rezistenca ndaj kësaj po rritet kudo.
Një përgjigje tjetër është të pranohet plakja e shpejtë, duke shpresuar se ndikimi i saj do të zbutet nga përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale dhe robotikë. Një tjetër, me të cilën po luhet në disa qarqe të djathta, është rikthimi i grave në rolin e shërbyeseve të përshkruara në romanin “The Handmaid’s Tale” të Margaret Atëood.
Përgjigjja e duhur është të ndihmohen dhe të shpërblehen prindërit, sidomos nënat. Ajo që bëjnë ato formëson të ardhmen. Të tjerët mund vetëm t’i mbështesin.
Shkruar nga Martin Wolf, kryeredaktor i ekonomisë në “Financial Times”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje