Nga Rod Liddle*– Një përleshje mes Alastair Campbell dhe Peter Mandelson?
Një betejë e vështirë për t’u gjykuar, në fakt. Si një luftë mes Pakistanit dhe Turqisë: ti instinktivisht do që të dyja palët të pësojnë humbje të paimagjinueshme.
Kjo ndodhte mjaft shpesh, në atë qeveri në mënyrë unike disfunksionale të Blairit dhe edhe më herët, kur kabali i tij i gënjeshtarëve dhe servilëve po përgatitej për pushtet.
Ja çfarë thotë Campbell për këtë çështje:
“Ai nisi të largohej, pastaj u kthye sërish, më shtyu, pastaj më ra me grusht, pastaj një tjetër. Unë e kapa për jake për t’ia bllokuar krahët dhe T.B. [Tony Blair] tashmë po afrohej për të na ndarë dhe Mandelson thjesht u turr drejt tij, pastaj u kthye nga unë dhe bërtiti: ‘E urrej këtë. Po kthehem në Londër.’”
Grindja ishte nëse Blair duhej apo jo të vishte kostum për t’iu drejtuar disa socialistëve të rinj, apo një palë pantallona kadifeje. Mandy ishte për kadifenë, nëse ju intereson.

Por e vërteta është se nuk mund ta nënvlerësosh sa e çmendur ishte ajo administratë: vreri dhe urrejtjet që zienin brenda, depresivët maniakë, si Campbell, Blairi që rrekej t’i tregonte Zotit çfarë duhej të bënte, Mandelsoni duke iu ngjitur të pasurve dhe të pushtetshmëve dhe duke u zvarritur rreth tyre, me të vetmin copëz ideologjie që i kishte mbetur nga ditët në Lidhjen e Rinisë Komuniste – idenë se qëllimi i justifikon mjetet, edhe kur qëllimi ishte harruar.
Ai i adhuronte njerëzit me shumë para dhe nuk e shqetësonte fort se si ishte krijuar ajo pasuri.
Sa herë që Mandelson emërohej në ndonjë post qeveritar, unë u thosha njerëzve se gjithçka do të përfundonte keq.
Dhe kështu, në mënyrë të pashmangshme, edhe ndodhi.
Dy miqtë e mëdhenj të Blairit, dhe dy nga njerëzit më të rëndësishëm në vend për tepër gjatë, ishin të dy fatalisht të metë.
Të kesh të drejtë për faktin se Mandelson do të përfundonte keq si pasojë e karakterit të vet është po aq parashikuese sa të sugjerosh se Wolves mund të bien nga kategoria këtë vit, dhe emërimi i tij si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington është me siguri emërimi më i keq që nga… që nga… hmm, në fakt, mendoj se David Lammy duke u bërë sekretar i jashtëm.”

Campbell, dikur një korrespondent politik mesatar, në thelb një rrugaç gënjeshtar, ishte plotësisht i nënshtruar ndaj Njeriut të Fuqishëm. Fillimisht Robert Maxwell, më pas Tony Blair, dhe ai i mbronte ata me një absolutizëm amoral.
Dhe Mandelson? I nënshtruar ndaj parasë dhe njerëzve që kanë shumë prej saj. Ai i adhuronte njerëzit me wonga (para) dhe nuk e shqetësonte fort se si ishte fituar ajo pasuri, për sa kohë jahti kishte një vend të rehatshëm për t’u ankoruar.
Dhe ai ka një histori të caktuar të përfitimit të shumave të mëdha parash nga të pasurit, apo jo? Ose, të paktën, të sjelljes servile rreth tyre.
Vëllezërit Hinduja, Geoffrey Robinson, oligarku rus Oleg Deripaska, i neveritshmi Bernie Ecclestone dhe, së fundmi, financieri Jeffrey Epstein.
Përshtatur nga The Spectator
Shënim: Rod Liddle është gazetar, komentator politik dhe opinionist britanik, i njohur për stil polemik, provokues dhe shpesh të ashpër, sidomos ndaj së majtës britanike, korrektesës politike dhe elitave liberale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



