Nga Gazeta ‘Si’- Një zjarr masiv përfshiu për gati tre orë një pallat te Farmacia nr.10, përballë spitalit “Nënë Tereza”, në kompleksin ‘Arlis’ duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Flakët u përhapën me shpejtësi fillimisht në katet e para të godinës dhe më pas përfshinë të gjithë fasadën ndërsa nuk dihen ende shkaqet e tij.

Policia, forcat Zjarrfikëse, reparti RENEA dhe një helikopter mbërritën në vendngjarje dhe punuan për disa orë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Helikopteri mbërriti atje nga baza ushtarake e Farkës, ndërkohë që me dhjetëra banorë janë evakuar.
Sipas raportimeve të para nga QSUT, për momentin në spital po trajtohen 11 pacientë. Mësohet se për ndihmë mjekësore janë dërguar disa punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe banorë të këtij pallati, të cilët janë asfiksuar nga tymi.

Dy prej banorëve u shpëtuan nga zjarrfikësit, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e tyre nga banesa përmes shkallëve të vendosura në ballkonet e tyre.
Ky kompleks pallatesh është përfshirë nga flakët edhe disa vite më parë. Kujtojmë që në vitin 2021 kompleksi i pallateve të ndërtuara nga firma Arlis SHPK, kur ishte ende në fazë ndërtimi, u përfshi nga zjarri dhe iu dogj fasada.
Në përditësim…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje