Drejtësia

Fondet e BE, SPAK merr sërish në pyetje bashkëpunëtorin e Frida Krifcës

Gazeta Si – Për të dytën herë brenda një periudhe 2-mujore, Reni Ashiku, bashkëpunëtori i ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifcës është paraqitur në SPAK në lidhje mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD, të cilat duhej t’u shpërndaheshin fermerëve shqiptarë.

Ashiku është administrator i Converse Management Consulting (CMC). Në hyrje të godinës, ai shoqërohej nga avokatja e tij, pasi sipas burimeve, pritet t’i komunikohet akuza e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për dosjen e IPARD.

Në mars të këtij viti, ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dha dëshmi për disa orë në Prokurorinë e Posaçme për dosjen që po hetohet nga prokurori Klodian Braho mbi abuzimet me fondet e programit të IPARD.

Sipas raportimeve në media, Krifca u pyet si person në dijeni, teksa SPAK, ka shtuar ritmet e hetimit për këtë dosje.

Kallëzimi për abuzimet u bë nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) pas hetimeve mbi mënyrën sesi u administruan fondet për bujqësinë.

Me rekomandimin e OLAF, Bashkimi Evropian ndërpreu qindra milionë euro ndihma për fermerët shqiptarë nga program IPARD 3 pas hetimit mbi abuzimet në AZHBR për të cilat është e kallëzuar edhe ish-ministrja Krifca.

Në tetor 2025, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani tha në Kuvend se SPAK po heton abuzimet me fondet e IPARD.

Ai theksoi se gjatë këtyre hetimeve po punohet ngushtë me OLAF. “Kemi regjistruar një procedim të tillë për fondet IPARD. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF”,- tha Dumani.

Pytjes se a po hetohet ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, për fondet IPARD, Dumani theksoi se “në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme”.

Procedimi nisi pas kallëzimit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila evidentoi shkelje në administrimin e fondeve të destinuara për sektorin bujqësor në Shqipëri.

Si pasojë e rekomandimeve të OLAF, Bashkimi Evropian vendosi të ndërpresë financimin përmes programit IPARD 3, duke bllokuar qindra miliona euro që ishin planifikuar si mbështetje për fermerët shqiptarë.

Në tetor 2025, Partia Demokratike iu drejtua Kuvendit me një shkresë, ku kërkoi ngriten e një komisioni hetimor për Kontrollin e Ligjshmërisë në Administrimin e Fondeve të Programit IPARD II.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë