Analize

Irani, drejt një ‘lufte me ndërmjetës’ mes SHBA-ve dhe Kinës?

Paradoksi iranian: pas masakrave në rrugë, Teherani është politikisht më i dobët se në të kaluarën, por ushtarakisht mbetet mjaftueshëm i fortë për ta bërë çdo sulm një rrezik

Gazeta Si – “Shumë pak, shumë vonë”: kjo është një nga kritikat që i drejtohen Donald Trump për veprimet e tij ndaj Iranit.

Ky president, zakonisht i kritikuar për sjelljen e tij bullizuese, tani akuzohet se u premtoi protestuesve iranianë ndihmë amerikane që nuk mbërriti në kohë.

Nën goditjet e një represioni të paparë në egërsinë dhe vendosmërinë e tij, mijëra, ndoshta dhjetëra mijëra, iranianë që dolën në rrugë, vdiqën.

Por hakmarrja e ngadaltë e SHBA-ve (nëse ndodh), ka një shpjegim. Irani ka arritur të rindërtojë një arsenal konvencional jashtëzakonisht të fuqishëm: mijëra raketa dhe dronë.

Shtetet e Bashkuara mbajnë disa baza ushtarake në Lindjen e Mesme, por këto mund të bëhen edhe objektiva për hakmarrjen iraniane.

Prandaj lind nevoja për të zhvendosur aeroplanmbajtësen “Lincoln”, e rrethuar nga flota e saj shoqëruese, nga Indo-Paqësori në Lindjen e Mesme: kjo forcë detare është e pasur me armë dhe teknologji mbrojtëse, të cilat mund të përmirësojnë aftësinë e saj për t’u mbrojtur nga hakmarrja iraniane. Kohëzgjatja e lundrimit të “Lincoln” me armatën e saj ka ngadalësuar gjithçka.

Por për të kuptuar shpejtësinë me të cilën regjimi i Ajatollahëve po rindërton arsenalin e tij konvencional, duhet të ndjekim një rrugë që të çon në Pekin.

Më 21 qershor 2025, kur SHBA-të goditën sitet bërthamore iraniane, Kina dhe Rusia treguan një shfaqje pafuqie.

Ato qëndruan duarkryq, të paafta për të ndihmuar një aleat strategjik. Por këtë herë, Xi Jinping duket i vendosur të mos vuajë të njëjtin poshtërim.

Kjo është veçanërisht e vërtetë duke pasur parasysh se spastrimet e fundit të gjeneralëve kinezë në krye të Ushtrisë Çlirimtare Popullore kanë dëmtuar besueshmërinë e aparatit ushtarak të Pekinit.

Ndërsa Xi e rindërton atë në vend, duke shkarkuar gjeneralët, ai gjithashtu dëshiron të shpengojë veten me disa prova të jashtme. Furnizimet kineze për Iranin duhet të shihen si pjesë e betejës globale mes dy superfuqive.

Kjo shpjegon paradoksin iranian që aktualisht po drejton llogaritjet e Uashingtonit, Tel Avivit dhe të gjithë aleatëve amerikanë në botën arabe (Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari).

Pas masakrave në rrugë, Teherani është politikisht më i dobët se në të kaluarën, por ushtarakisht mbetet mjaftueshëm i fortë për ta bërë çdo sulm një rrezik.

Vlerësimet e inteligjencës amerikane japin një gjykim të qartë: Republika Islamike po përjeton një fazë të cenueshmërisë së rrallë të brendshme, ndoshta më seriozen që nga revolucioni i vitit 1979.

Protestat e muajve të fundit nuk kanë qenë thjesht incidente urbane të kufizuara në elitat e arsimuara ose periferitë e margjinalizuara.

Ato kanë prekur zona që ata në pushtet i konsideronin “të sigurta”, socialisht besnikë ndaj Udhëheqësit Suprem.

Kjo ka goditur në zemër të qasjes së regjimit: jo më vetëm mospajtim i pakicave, por çarje në bllokun shoqëror që e mbështeti atë.

Kësaj i shtohet një faktor strukturor: ekonomia. Sanksionet, keqmenaxhimi, korrupsioni i përhapur, izolimi financiar dhe kostot gjeopolitike kanë gërryer standardin e jetesës.

Irani nuk është një shoqëri në zi buke, por një shoqëri e lodhur, e frustruar dhe e varfër krahasuar me pritjet e një popullsie të re dhe të arsimuar.

Regjimi ka më pak burime për të “blerë” konsensus me subvencione dhe përfitime dhe një nevojë më të madhe për t’iu drejtuar shtrëngimit.

Por, i dobët nuk do të thotë afër kolapsit. Jo domosdoshmërisht. Sistemi iranian është ndërtuar pikërisht për t’i bërë ballë krizave të legjitimitetit.

Aparati i sigurisë, Pasdaran-i (Garda Revolucionare) dhe rrjetet e patronazhit fetar dhe ekonomik, kanë përballuar shumë kriza.

Mbështetja fetare e nomenklaturës e bën atë veçanërisht të pamëshirshëm: Udhëheqësi Suprem Khamenei (i quajtur “Udhëheqës Ekstrem” nga kundërshtarët e tij), nuk hezitoi të urdhëronte masakrat e fundit të popullit, i bindur për investiturën e tij mesiane.

Ushtarakisht, Irani nuk mund të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara në fuqi ajrore, teknologji apo shtrirje globale.

Por për vite me radhë ka ndërtuar një doktrinë asimetrike të bazuar në një ide të thjeshtë: nuk ka nevojë të fitosh, vetëm të paguash një çmim të lartë.

Çelësi i kësaj strategjie është arsenali i tij i raketave. Vlerësimet më të besueshme flasin për mijëra raketa, duke përfshirë rreth 2,000 me rreze të mesme veprimi, në gjendje për të goditur Izraelin dhe rezerva të mëdha raketash me rreze të shkurtër veprimi, të afta për të goditur bazat amerikane në Gjirin Persik, instalime në Irak dhe anije në Ngushticën e Hormuzit.

Atyre i shtohen dronët, raketat lundruese anti-anije dhe anijet e shpejta të armatosura: një pajisje lufte rajonale, jo globale.

Lufta 12-ditore me Izraelin verën e kaluar, dëmtoi seriozisht ushtrinë e Iranit, veçanërisht raketat e saj të lëvizshme.

Por nuk e shkatërroi atë. Teherani ka demonstruar aftësinë e tij për t’u rindërtuar shpejt, për të përdorur sisteme më të thjeshta dhe për të shpërndarë dhe fshehur sulmet e tij më mirë.

Ai gjithashtu mësoi të reagonte edhe kur ishte nën sulm: ndryshoi kohën, drejtimet dhe sekuencat e goditjeve të tij për ta bërë më të vështirë kundër-reagimin e palës kundërshtare.

Ja ku vjen një faktor më pak i dukshëm, por thelbësor: mbrojtja nga raketat, është e kufizuar. Çdo interceptim ajror, konsumon municione të shtrenjta dhe të vështira për t’u zëvendësuar.

Në një konflikt të shkurtër, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre mund të përballojnë vështirësitë. Në një konflikt të zgjatur, menaxhimi i rezervave bëhet pjesë e strategjisë. Irani nuk ka pse të shpojë të gjithë mburojën: i duhet vetëm një pjesë e konsiderueshme për të kaluar.

Dhe nuk ka mungesë objektivash: bazat amerikane të shpërndara në të gjithë Gjirin, Irakun dhe Jordaninë, plus të gjithë infrastrukturën energjetike të shteteve të pasura arabe fqinje (Arabia Saudite, Emiratet, Katari, Kuvajti dhe Bahreini), aleatë të Uashingtonit; trafiku detar jetësor.

Edhe disa sulme të suksesshme mund të kenë efekte të mëdha politike dhe ekonomike, duke filluar me naftën.

Këtu, Pekini është një element kyç. Kina nuk duket se po i “jep raketa të gatshme” Teheranit. Nuk e bën këtë për të shmangur sfidimin e hapur dhe flagrant të Shteteve të Bashkuara.

Roli i saj është më delikat: ndihmon Iranin të mbajë në punë makineritë industriale që prodhojnë ato raketa. Një pikë konkrete ka të bëjë me përbërësit kimikë për lëndët djegëse të ngurta.

Analizat dhe raportet amerikane tregojnë transferime nga Kina në Iran të sasive të mëdha të substancave të tilla, si perklorati i natriumit, një pararendës kyç për karburantin e raketave balistike.

Kjo nuk është një armë e përfunduar: është oksigjeni i prodhimit. Me këto inpute, Irani mund të rindërtojë rezervat dhe aftësitë e tij pas humbjeve.

Kësaj i shtohen rrjetet e furnizimit për komponentë, makineri dhe elektronikë, të cilat shpesh kalojnë nëpër kanale dhe ndërmjetës të errëta në vende të shumta.

Uashingtoni ka sanksionuar disa rrjete të tilla që lidhin Iranin dhe Kinën. Pastaj është dimensioni teknologjik: bashkëpunimi në përdorimin e sistemit satelitor kinez “BeiDou”, i ofron Teheranit një alternativë ndaj GPS-ve perëndimore dhe mund të përmirësojë saktësinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve të armëve.

Raportet për një “udhëtim ajror” të mundshëm ushtarak kinez në Iran kanë qarkulluar gjithashtu në këto javë të tensionuara.

Ka pasur raporte për 16 aeroplanë ushtarakë mallrash që kanë zbarkuar në Iran nga Kina në harkun kohor të 56 orëve. Informacioni mbi këtë çështje nuk është gjithmonë i verifikueshëm.

Motivi gjeopolitik i Xi Jinping, është më i qartë: Pekini nuk dëshiron një luftë rajonale (Kina do të ishte viktima e parë e një ndërprerjeje në furnizimet me naftë nga Gjiri), por nuk mund të lejojë që Irani të shtypet.

Për Kinën, Teherani është një partner energjie, një gur shahu strategjik dhe një kërcënim për ndikimin amerikan.

Situata me të cilën përballet Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni këto ditë, është e shënuar nga kjo ambivalencë.

Irani është më i brishtë nga brenda: ekonomia e tij po vuan, shoqëria civile është e acaruar nga masakrat, legjitimiteti i tij është i shkatërruar.

Por është ende i rrezikshëm nga jashtë: ka një arsenal raketash në gjendje për të goditur, ngopur dhe destabilizuar.

Kina, nga ana e saj, nuk po lufton për Teheranin. Po bën diçka më diskrete dhe afatgjatë: po ndihmon në rimbushjen e fabrikës, duke ruajtur kapacitetin e prodhimit të raketave dhe duke përmirësuar mjetet teknologjike.

Për Uashingtonin, kjo do të thotë që dritarja politike e mundësisë është dashur të përkulet ndaj ekuacionit ushtarak.

Sulmi mund të duket më i lehtë sot, sesa ishte dje në nivel politik. Por në nivel strategjik, mbetet një operacion me rrezik të lartë për përshkallëzim rajonal, përfshirë dhe presionin e ushtruar nga sauditët, turqit dhe të tjerët që mbështesin gjithashtu Trumpin në Planin e tij të Gazës.

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë