Gazeta Si – Në seancën e radhës për vrasjen e Ardit Spahiut në Belgjikë, gruaja e Franc Çopjas, i akuzuari kryesor për ngjarjen e 27 nëntorit në Molenbek, ka dhënë dëshminë e saj për një videotelefonate pasi ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas mediave belge, ajo e përshkroi si burrë besnik, “jo agresiv”, që “kurrë nuk e ngrinte zërin”. Gjithashtu theksoi se nuk ishte në dijeni të asnjë aktiviteti kriminal nga i akuzuari dhe tha se burri i saj është i pafajshëm.
Përmes videokonferencës, dëshmoi edhe një tjetër shqiptar, rreth të 30-ave, nga Elbasani që është vendlindja e viktimës.
Ai tha se i njihte të dyja familjet, Alibej dhe Çopja, të cilat kanë pasur një luftë mes tyre, të nisur të paktën prej dhjetorit 2018. Gjykatësja e pyeti dëshmitarin për një sherr të vitit 2017 të ndodhur në vitin 2017 ku përfshihej Franc Çopja.
Dëshmitari tha se ishte veç një “mosmarrëveshje e vogël” dhe një “zënkë e thjeshtë” që përshkallëzoi. Gjykatësja nënvizoi se zënka ishte raportuar në mediat shqiptare ku thuhej se ishin përdorur armët.
Dëshmitari tha se një pjesë e dëshmisë së dhënë ditën e hënë nga vëllai i gruas së vëllait të viktimës që është anëtar i familjes Alibej, është e gënjeshtërt.
Sipas dëshmisë së një eksperti ADN-je të dhënë në të njëjtën seancë, gjatë mëngjesit, në vendngjarje nuk është gjetur asnjë material gjenetik përveç atij të Ardit Spahiut dhe shoferit të automjetit.
Franc Çopja akuzohet si organizatori dhe porositësi i vrasjes, si dhe udhëheqës i një grupi të strukturuar kriminal, i shpallur në kërkim edhe nga SPAK. Sipas prokurorisë belge, ka kontrolluar trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Më 30 dhjetor 2023, ai u ekstradua nga Dubai në Belgjikë dhe prej atij momenti ndodhen në burgun e Haren.
Që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Ndërsa Ardit Spahiu u vra më 27 nëntor 2020, në një atentat në Molenbeek. Sipas raportimeve të mediave belge, atij iu bë pritë nga një person i maskuar dhe i armatosur me automatik me silenciator.
Sipas dëshmitarëve, vrasësi qëlloi me breshëri ndaj Spahiut, ku në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja dhe nëntë plumba goditën viktimën.
Hetimet e autoriteteve belge treguan se Spahiu ishte i përfshirë në trafikun e drogës, dyshohet një klani rival me Çopjat, një rivalitet që ka sjellë viktima edhe në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



