Analize

Momenti ‘i Suezit’ që po vë në provë NATO-n dhe profecia e Charles de Gaulle

Drama e Groenlandës tregon se SHBA-të nuk janë më garantuese të Europës

Nga Gazeta ‘Si’- Në vitin 1969, Charles de Gaulle i tha mikut të tij André Malraux se dëshira e Amerikës “- dhe një ditë do ta përmbushë atë – është të braktisë Europën. Do ta shihni.”

Janë dashur gati gjashtë dekada, por profecia e de Gaulle-it sot duket në mënyrë shqetësuese pranë realizimit.

Mes zyrtarëve të BE-së po konsolidohet një përfundim edhe më i ashpër.

Pas vitesh përpjekjesh diplomatike për të menaxhuar, qetësuar dhe joshur presidentë të njëpasnjëshëm amerikanë dhe Donald Trumpin në veçanti- udhëheqësit europianë po përballen me një zgjim të hidhur: Shtetet e Bashkuara janë, në rastin më të mirë, indiferente ndaj interesave dhe ndjeshmërive të tyre dhe, në rastin më të keq, haptazi armiqësore.

Disa, si kryeministrja italiane Giorgia Meloni, vazhdojnë të besojnë se Trump mund të zbutet, se marrëdhënia transatlantike mund të shpëtohet disi. Edhe Sir Keir Starmer u përpoq këtë javë të minimizonte përçarjet në rritje me Uashingtonin.

Por mes zyrtarëve të BE-së po fiton terren një përfundim më brutal: këtë herë, me presionin dhe shantazhin e Trumpit ndaj Europës për Grenlandën, përçarja duket reale. NATO, kanë frikë ata, mund të ekzistojë vetëm në emër, dhe çdo përpjekje për ta racionalizuar apo justifikuar sjelljen e Trumpit rrezikon të kthehet në vetë-mashtrim.

Ky është momenti i Suezit për NATO-n. Ashtu si tërheqja britanike nga “lindja e Suezit” në fund të viteve 1960 shënoi fundin efektiv të pretendimeve perandorake, drama e Groenlandës mund të sinjalizojë shpërbërjen e paktit të sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore mes Amerikës dhe Europës. Nëse Suezi tregoi se Britania nuk mund të vepronte më si fuqi globale, Groenlanda mund të tregojë se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin më veten si garantuesin e sigurisë së Europës.

Në pamje të parë, asgjë nga kjo nuk është befasuese. Që përpara manovrës së Groenlandës, Trump ishte figurë e urryer në pjesë të mëdha të Europës. Narcizmi dhe vulgariteti i tij dukej se konfirmonin çdo dyshim për Amerikën në formën e saj më të keqe: nacionaliste, izolacioniste, brutalisht e interesuar vetëm për veten — një Amerikë-kështjellë e drejtuar nga një njeri me pak durim për aleatët apo aleancat. Lëvizjet e tij të fundit në politikën e jashtme, nga Venezuela te Groenlanda, duket se vetëm e përforcojnë këtë karikaturë.

Por ekziston edhe një mundësi më intriguese. Po sikur kaosi i zhurmshëm i Trumpit të mos jetë thjesht produkt i vulgaritetit personal, por një njohje e vonuar e një të vërtete më të thellë — se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre transatlantikë nuk janë partnerë natyralë?

Ajo që zakonisht quhet “Perëndimi” nuk ka qenë kurrë një komunitet i përhershëm interesash të përbashkëta. Vendet perëndimore ndajnë një histori, kulturë dhe trashëgimi politike të përbashkët. Por një civilizim i përbashkët nuk përkthehet automatikisht në unitet politik afatgjatë.

Siç argumentonte realisti uellsiano-australian i politikës së jashtme Owen Harries në Foreign Affairs që në vitin 1993, marrëdhëniet mes vendeve perëndimore kanë qenë përherë të shënuara nga rivaliteti, ndarja dhe madje konflikti i përgjakshëm i brendshëm.

Me kalimin e kohës, periudhat 1917–18, 1941–45 dhe Lufta e Ftohtë rezultojnë të jenë të vetmet momente kur një “Perëndim” i bashkuar kishte ndonjë legjitimitet real politik. Edhe atëherë, termi është disi i pasaktë, pasi armiqtë kryesorë — Gjermania dhe Austro-Hungaria në rastin e parë, Gjermania dhe Italia në të dytin — ishin vetë fuqi thelbësore perëndimore.

Siç vërente Harries, ideja e një “Perëndimi” politik u ka pëlqyer europianëve kryesisht në momente rreziku të afërt. “Dëshpërimi dhe frika,” shkruante ai, “kanë qenë prindërit e tij, jo afinitetet.” Hiqni ndjesinë e kërcënimit dhe instinkti historik i Europës nuk ka qenë solidariteti me Uashingtonin, por distanca prej tij.

Shpesh kjo ndjenjë ka qenë reciproke.

Madje edhe përpara se fitorja përfundimtare në Luftën e Dytë Botërore të sigurohej në vitin 1945, modeli mbizotërues global nuk ishte një Perëndim i bashkuar, por “Tre të Mëdhenjtë”, me Franklin D. Roosevelt-in shpesh më dyshues ndaj Britanisë sesa ndaj Stalinit.

Pas luftës, pasardhësi i FDR-së, Harry Truman, e ndërpreu papritur programin Lend-Lease pa shumë shqetësim për Britaninë apo Europën. George Orwell imagjinonte një botë tripolare, me Europën të veçuar nga kapitalizmi amerikan dhe komunizmi sovjetik.

Ashtu si në fillim të Luftës së Ftohtë, ashtu ndodhi edhe në fund të saj. Pas shembjes së perandorisë sovjetike, Europa u trajtua sërish si një pol më vete, me Azinë si të tretin. Larg nga kapja pas unitetit atlantik, shumë europianë parashikonin që një Europë post-Maastriht, e udhëhequr nga një Gjermani e ribashkuar, do të rivalizonte — madje do ta tejkalonte — fuqinë amerikane.

Kur shpërtheu lufta në Jugosllavi në vitin 1991, presidenti i Komisionit Europian, Jacques Delors, e shprehu në mënyrë perfekte këtë refleks: “Ne nuk ndërhyjmë në punët amerikane. Shpresojmë që ata të kenë mjaft respekt për të mos ndërhyrë në tonat.” Fakti që Shtetet e Bashkuara kishin çliruar vendin e zotit Delors nga një regjim totalitar dhe më pas kishin mbrojtur Europën Perëndimore nga një tjetër për katër dekada, mesa duket, ishte dytësor.

Shpejt, Europa u tregua e paaftë për të menaxhuar krizën boshnjake dhe që atëherë është bërë thellësisht e varur nga “Xhaxha Sami” për sigurinë e saj. Megjithatë, perandoria sovjetike që justifikoi krijimin e NATO-s u shemb më shumë se tri dekada më parë, dhe pretendimi se Rusia e sotme përbën një kërcënim të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë një Perëndim të ringjallur është i sforcuar.

Rusia është një fuqi në rënie: e dobët demografikisht, e varur ekonomikisht nga lëndët e para dhe jashtë elitës ekonomike botërore. Ajo është e zhytur në Donbas dhe nuk ka kapacitetin ushtarak apo ekonomik për të pushtuar të gjithë Ukrainën, e jo më vendet e ish-Paktit të Varshavës. Rusia përbën pak kërcënim serioz për Europën Perëndimore, e aq më pak për Shtetet e Bashkuara, edhe nëse strategët ushtarakë ndajnë shqetësimet e Trumpit për ambiciet e Moskës në Arktik.

Vladimir Putin është një dhunues dhe autokrat, regjimi i të cilit nuk ngjall asnjë admirim. Por ambiciet e tij janë më të kufizuara sesa ringjallja e perandorisë. Kremlini synon ta shkatërrojë Ukrainën në mënyrë që ajo të mos mund t’i bashkohet NATO-s dhe të bëhet, sipas politologut John Mearsheimer, “një bastion perëndimor në pragun e Rusisë”.

Më e rëndësishmja, nga këndvështrimi i Uashingtonit, Rusia nuk është sfiduesi kryesor strategjik. Kina është. Dhe Pekini është i vendosur të përmbysë status quo-në në gjithë Azinë Lindore. Moska dhe Pekini mund të bashkëpunojnë taktikisht, por nuk janë aleatë natyralë. Janë rivalë historikë, të ndarë nga gjeografia dhe dyshimi i rrënjosur thellë, siç e dëshmoi qartë përçarja kino-sovjetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Çfarë ka atëherë kaq tronditëse në instinktin e Trumpit për ta akomoduar Rusinë duke hyrë në dialog me Kremlinin për Europën Lindore dhe madje duke ftuar Vladimir Putinin t’i bashkohet “bordit të tij të paqes”?

Kjo pasqyron logjikën klasike të ekuilibrit të fuqisë: një përpjekje për të parandaluar një aleancë të qëndrueshme kino-ruse kundër Uashingtonit.

Shumë politikanë në Britani dhe në mbarë kontinentin gjejnë ngushëllim në bindjen se Trump është një devijim: se establishmenti amerikan i politikës së jashtme mbetet instinktivisht i përkushtuar ndaj Europës. Shërbimi normal, na sigurojnë, do të rifillojë sapo Trump të largohet nga detyra më 20 janar 2029 — nëse vërtet largohet.

Por nëse një javë është një kohë e gjatë në politikë, siç vërente dikur Harold Wilson, tri vite janë një përjetësi. Edhe më shqetësuese, historia sugjeron se angazhimi i Amerikës ndaj Europës është shfaqur vetëm kur interesat thelbësore të SHBA-së janë vënë drejtpërdrejt në rrezik: lufta e nëndetëseve gjermane në 1917; Pearl Harbor-i në 1941, pasuar nga shpallja e pamatur e luftës nga Hitleri; dhe ekspansionizmi sovjetik në fund të viteve 1940. Kërcënimi komunist i lidhi Amerikën dhe Europën për katër dekada. Rusia e Putinit nuk e plotëson këtë prag.

Ndërkohë, ekuilibri global i fuqisë ka ndryshuar në mënyrë vendimtare. Uashingtoni tani duhet të pajtojë ambiciet e tij me burimet e disponueshme në një botë multipolare. Shtetet e Bashkuara janë të mbingarkuara dhe edhe fuqia amerikane ka kufij — sidomos kur sot shpenzon më shumë për shërbimin e borxhit sesa për mbrojtjen.

Kjo na kthen te Suezi. Në vitin 1956, administrata Eisenhower ia hoqi Britanisë mbështetjen financiare për ta detyruar qeverinë e Anthony Eden-it të ndalte pushtimin e dështuar të Egjiptit. Suezi e detyroi Britaninë të braktiste iluzionin ngushëllues se mbetej një fuqi globale reale. Një dekadë më vonë, qeveria e Harold Wilson-it shpalli tërheqjen e forcave britanike nga “lindja e Suezit”. Pax Britannica kishte marrë fund.

Shtatëdhjetë vjet më pas, Donald Trump duket i vendosur t’i japë fund Pax Americana-s. Kjo nuk nënkupton tërheqje amerikane, por riorganizim strategjik: larg Europës, drejt Azisë Lindore dhe rikthim te mbrojtja e hemisferës perëndimore. Theksi i Trumpit te mbrojtja e “fqinjësisë së afërt” të Amerikës nuk është i ri. Mbrojtja e hemisferës ka qenë prioritet parësor i Uashingtonit që nga vitet 1820. Parimet që qëndrojnë pas Doktrinës Monroe kanë mbetur për një kohë të gjatë të pashprehura, sepse merreshin si të mirëqena.

Dhe le të kujtojmë se Grenlanda, ishulli më i madh në botë, është gjeografikisht pjesë e Amerikës së Veriut. Ajo ndodhet gjithashtu në qendër të rrugëve detare strategjikisht të kontestuara të Arktikut dhe është e pasur me minerale të rralla.

Avioni i familjes Trump mbërrin në Groenlandë vitin e shkuar, me djalin e presidentit amerikan dhe zv.presidentin J.D.Vance në bord

Pyetja më relevante sot është se si e sheh Uashingtoni botën përtej të ashtuquajturit oborr i pasmë — mbi të gjitha Europën, Azinë Lindore dhe Gjirin Persik. Gjatë Luftës së Ftohtë, Europa zinte vendin kryesor në strategjinë e madhe amerikane për arsye të thjeshta: Bashkimi Sovjetik përbënte një kërcënim ekzistencial. Në kohët e fundit, Europa ka pushuar së qeni interes jetik për Shtetet e Bashkuara — jo vetëm sepse, siç paralajmëroi së fundmi Deklarata e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump, ajo po përjeton një lloj “zhdukjeje civilizuese”, por sepse thjesht nuk është më një teatër kryesor strategjik apo ekonomik i fuqisë globale.

Duke pasur parasysh indiferencën e Trumpit ndaj Europës, retorikën e tij ndaj Amerikës Latine dhe Arktikut dhe orientimin e Uashingtonit drejt Azisë Lindore, nuk është çudi që komentatorët në të dy anët e Atlantikut po “përplasen me realitetin”, për të huazuar shprehjen e vjetër neokonservatore. Trump është më pak autori i ftohjes transatlantike sesa përshpejtuesi dhe zbardhësi i saj. Ai ka zhveshur iluzionet ngushëlluese për një Perëndim politik të përhershëm dhe i ka detyruar europianët të përballen me një të vërtetë të shtyrë prej kohësh: uniteti perëndimor ka qenë gjithmonë i kushtëzuar, kontingjent dhe i nxitur nga kërcënimi.

Sinqeriteti brutal i Trumpit, për ta thënë butë e me mirësjellje, është tronditës dhe destabilizues. Ai është pa dyshim një rrugaç, sjellja e të cilit ka shokuar shumë miq të vjetër. Por e vërteta më tronditëse nuk është se Amerika ka ndryshuar.

Është se kaq shumë njerëz në klasat e politikës së jashtme të Britanisë dhe Europës supozuan se ajo nuk do të ndryshonte kurrë.

Marrë nga The Spectator/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë