Histori

14 Janari 1990/ Demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën drejt demokracisë

Gazeta “SI”- Data 14 janar 1990 shënon një moment historik për Shqipërinë: në Shkodër u zhvillua demonstrata e parë antikomuniste që hapi rrugën për rrëzimin e regjimit komunist, i fundit diktatorial në Evropën Lindore. Qytetarët e Shkodrës dolën në mënyrë spontane në rrugët e qytetit për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj regjimit, duke u bërë protagonistë të një ngjarjeje që do të mbetej në kujtesën e kombit.

Në atë ditë historike, mijëra shkodranë u grumbulluan në qendër të qytetit dhe tentuan të rrëzonin bustin e Stalinit, një simbol i regjimit komunist. Megjithatë, policia dhe ushtria e kohës ndërhynë dhe shpërndanë turmën me dhunë. Pas demonstratës, dhjetëra protestues u arrestuan dhe u dhunuan barbarisht në burgje, ndërsa regjimi tentonte të frikësonte qytetarët në përpjekje për të ruajtur kontrollin.

Ngjarja, për rëndësinë dhe kontekstin e saj historik, u konsiderua menjëherë si demonstrata e parë antikomuniste në Shqipëri. Ajo pati jehonë jo vetëm brenda vendit, por edhe në mediat ndërkombëtare, duke u analizuar si një shenjë e hershme e valës së ndryshimeve demokratike që do të përfshinin Shqipërinë.

Lek Kurti, pjesëmarrës në demonstratë, kujton se lëvizja u nxit nga ndryshimet që po ndodhnin në Evropën Lindore. Në një intervistë për eetimestv, ai rrëfen se një natë para protestës, sigurimi i shtetit ushtronte terror nëpër lagjet e qytetit, duke arrestuar të paktën katër persona që dyshohej se po organizonin reagimin qytetar. Megjithatë, përpjekjet e regjimit për të ndaluar protestën dështuan.

Filip Guraziu, në një shkrim të mëparshëm do të theksonte rëndësinë e Shkodrës në këtë ngjarje:

“Nuk mund të konsiderohet rastësi që demonstrata e parë antikomuniste u zhvillua pikërisht në Shkodër. Populli i këtij qyteti dhe i malësive përreth kishte treguar më parë se komunizmi ishte i huaj për ta. Ky popull, i ndikuar historikisht nga tradita e lirisë dhe kontaktet me kulturën perëndimore përmes tregtisë dhe Kishës Katolike, nuk mund të pranonte kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Rezistenca e armatosur e Kelmendasve në Janar 1945 dhe kryengritja e përgjakshme e Postribës në vitin 1946 janë shembuj të veçantë në historinë e Shqipërisë.”

Terrori politik pas 14 janarit nuk mundi të thyente shpirtin demokratik të shkodranëve. Përkundrazi, ai u shndërrua në një katalizator për protesta më të ashpra dhe të gjera në mbarë vendin, duke frymëzuar qytetarët në qytete të tjera. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltën e shkodranëve në 16 Qershor 1990, 11 Nëntor 1990, 13 Dhjetor 1990 dhe 2 Prill 1991.

Guraziu thekson se demonstrata e 14 janarit 1990 duhet të përkujtohet jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë, si momenti kur u hodh “guri i parë” i themeleve të demokracisë post-komuniste.

Sipas tij, qindra qytetarë u arrestuan dhe shumë prej tyre u torturuan. Dhjetë prej aktivistëve kryesorë, Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka dhe Aldo Perizi u dënuan me vite të gjata burg. Gjashtë të tjerë – Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni dhe Viktor Martini – u dërguan në spitale psikiatrike, ndërsa shumë familje u internuan. Rin Monajka, një nga të burgosurit, doli nga burgu me gjendje invaliditeti ekstrem për shkak të torturave shtazarake.

Studiuesi Kastriot Dervishi ofron një pasqyrë të veprimeve të Sigurimit të Shtetit para dhe gjatë demonstratës. Sipas tij, regjimi kishte marrë masa të rrepta për të parandaluar protestën. Dega e Punëve të Brendshme dhe Komiteti i PPSH-së dërguan njerëz të infiltruar për të monitoruar grumbullimin, i cili u filmua në mënyrë të fshehtë. Materiali i filmimit nuk dihet ku ka përfunduar. Hetuesia vlerësoi pjesëmarrësit në rreth 2000 veta dhe identifikoi Rini Monajkën si figurën kryesore të demonstratës.

Rin Monajka u arrestua për pjesëmarrje në organizimet me qëllim rrëzimin e bustit të Stalinit në Shkodër, në datat 11-14 janar 1990. Rini ishte me origjinë austriake dhe punonte në ndërmarrjen e peshkimit. Bashkë me Dedë Kasnecin, u bënë figurat kryesore të këtyre lëvizjeve antikomuniste në qytet.

U gjykua më 25-30 prill 1990 nga Gjykata e Lartë në Tiranë. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.2 të, datë 30.4.1990 i deklaroi fajtorë të pandehurit dhe i dënoi me heqje lirie. Rin Monajka u dënua me 7 vjet burg. Gjykata e konsideronte “demonstratë antisocialiste” dhe të pandehurit “me rrezikshmëri të madhe shoqërore”.

Intensiteti i veprimeve u shfaq kryesisht midis 13 dhe 16 janarit 1990. Përveç arrestimeve, u rrit shpërndarja e fletushkave dhe parullave antikomuniste. Më 15 janar u hodh një dinamit pranë Komitetit të Partisë, por ai nuk shpërtheu falë vigjilencës së policisë. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, raportoi se qëllimi i demonstratës ishte rrëzimi i bustit të Stalinit dhe më pas takimi me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së, Xhemal Dymylja, për të kërkuar liri shtypi, fjalë dhe demokraci. Hetuesia përqendroi hetimet te pjesëmarrësit dhe ata që kishin shkruar parullat.

Burimi: Kujto.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë