Është bërë tashmë traditë që çdo gjeneratë e re të etiketohet si “dembele dhe e papërgjegjshme” nga më të vjetrit, por Gen Z është përballur me akuza nga më të rëndat. Brezi i 20 e ca vjeçarëve, njohur si Gjenerata Z, akuzohen se përtojnë të punojnë, i pëlqen të shpenzojnë në luks dhe janë të gatshëm të investojnë në asete risku, si kriptomonedhat apo NFT-të.
Ka dy dallime të mëdha midis Gen Z dhe brezave paraardhës. E para është se në vend që ata t’i shtypin këto stereotipizime, kanë vendosur t’i përqafojnë, duke krijuar edhe neologjizma të reja madje. E dyta është se studimet kanë gjetur se këto sjellje janë përgjigje racionale ndaj përkeqësimit të perspektivave ekonomike: veçanërisht, pamundësia për të blerë një pronë.
Në një studim të botuar javën e kaluar, ekonomistët në Universitetin e Çikagos dhe Universitetin Northëestern përdorën të dhëna të detajuara mbi transaksionet me karta, pasurinë dhe qëndrimet e amerikanëve për të demonstruar se përpjekjet e reduktuara të punës, rritja e shpenzimeve të kohës së lirë dhe investimet në asete financiare të rrezikshme (duke përfshirë kriptot) janë të gjitha në mënyrë disproporcionale të zakonshme në mesin e të rinjve të cilët përballen me një pamundësi për të patur një ditë një shtëpi të tyre.
Në të kundërt, hulumtimi i Seung Hyeong Lee dhe Younggeun Yoo zbulon se ata për të cilët pronësia e shtëpisë është një mundësi më realiste në afat të mesëm, ose që e kanë arritur tashmë, marrin më pak rreziqe dhe përpiqen më shumë në punë.
Për të rinjtë britanikë, me mundësi më të pakëta financiare, shansi i ndërmarrjes së risqeve financiare është më i lartë se shokët e tyre me më shumë para.
Më e rëndësishmja, Lee dhe Yoo përdorin të dhënat e serive kohore dhe çmimet lokale të banesave për të treguar se lidhja midis banesave të papërballueshme dhe sjelljes ekonomike duket të jetë shkakësore. Rritjet e fundit në marrjen e rrezikut financiar, shpenzimet e kohës së lirë dhe reduktimi i përpjekjeve të punës i përgjigjen ndryshimit të stimujve ekonomikë. Ndërsa përballueshmëria e banesave përkeqësohet, ata që besojnë se janë të bllokuar nga pronësia e shtëpisë, përdorin një përzierje bastesh me rrezik të lartë dhe atë që komentatorja ekonomike amerikane Kyla Scanlon e quan “nihilizëm financiar” – pse të përpiqemi dhe të kursejmë kur nuk do të jetë e mjaftueshme për t’ia dalë gjithsesi?
Gjetjet mbi përpjekjet në punë janë veçanërisht të dukshme. Gen Z shpesh karakterizohet si me mungesë elasticiteti në vendin e punës; shumë punonjës të rinj kanë përdorur rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre për punën “nëntë deri në pesë”. Provat sugjerojnë se këto besime dhe sjellje në ndryshim janë të bazuara në realitetin ekonomik ndërsa ai evoluon. Nuk është se brezat e mëparshëm ishin më të angazhuar në punën e tyre sepse punët në atë kohë ishin emocionuese, është se të punuarit dikur ishte një mjet për një qëllim. Kur shpërblimi, pasja e një shtëpie, nuk vjen më, e gjitha kjo është e kotë.
I njëjti përfundim del nga rëndësia në rritje e ndihmës prindërore për të ngjitur shkallët e suksesit. Për shumicën që blejnë shtëpi për herë të parë në SHBA, Mbretëri të Bashkuar dhe Australi, pengesa më e madhe nuk është paga, por pagesa e garancisë (kapari). Pse të rrish deri vonë në zyrë për të mbaruar atë projekt me shpresën e një rritjeje modeste page kur e di që në fund do të të duhet një paradhënie gjashtëshifrore, krijimi i së cilës mund të marrë dekada, pavarësisht përpjekjeve?
Rezultatet e këtyre studimeve kanë implikime të rëndësishme.
Së pari, ato tregojnë urgjencën kritike të adresimit të krizës së përballueshmërisë së blerjes së shtëpive. Ndikimi, siç mund ta shohim tani, po destabilizon ekonominë dhe shoqërinë më të gjerë, duke i vendosur shumë të rinj në një rrugë financiare të pasigurt ku hapat e gabuar mund të rezultojnë në paaftësi rikuperimi.
Së dyti, ato theksojnë rëndësinë e ofrimit të edukimit financiar për të rinjtë, që u nevojitet për të lundruar në një botë të re, ku për shumë veta shpresa e vetme për sukses është marrja e rreziqeve të mëdha monetare. Njëzetvjeçarët e sotëm kanë shumë më shumë gjasa të përfundojnë si qiramarrës gjatë gjithë jetës sesa prindërit e tyre. Kjo do të thotë që ata do të kenë nevojë për më shumë udhëzime se brezat e kaluar mbi mjetet e tjera të akumulimit të pasurisë, si dhe aftësitë dhe mbështetjen për të ditur se loja nuk ka mbaruar ende.
Është shumë mirë të ankohesh për nihilizmin ekonomik të brezave të rinj por ata thjesht po luajnë me letrat që kanë në dorë.
Shkruar nga John Burn-Murdoch, kolumnist dhe raportuesi kryesor i të dhënave ekonomike për Financial Times.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



