Gazeta Si – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi sërish gjyqtaren Irena Gjoka pas daljes së tij nga SPAK, duke akuzuar se “ky është shteti i Irenës (Gjoka) me 5 mbiemra që vazhdon detyrën në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.
Pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, kryedemokrati theksoi se është “bërë kërkesë pranë KLGJ-së për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës pasi kur ka marrë mandatin nuk ka pasur kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë gjykatëse pasi kishte një vendim penal që kishte marrë formë të prerë”.
Berisha theksoi se Irena Gjoka mbrohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani. “Çdo vendim i Irena Gjokës, që në ditën që ka mashtruar në formularët e dekriminalizimit, nuk ka vlerë, sepse është marrë nga një person, që nuk mund të jetë gjykatëse, – tha ai. – A e kuptoni pra miqtë e mi se kjo delinkuente që fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk na kanë njoftuar, por duket se punonjësit e tij ia kanë fshehur dokumentet, pra kjo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar ligjet me tre të pestat, që i diktojnë asaj largimin e menjëhershëm”, shton Berisha.
Kreu demokrat theksoi më tej se “sipas ligjit të dekriminalizimit, të miratuar me tre të pestat, fshehja, refuzimi për të deklaruar dënimet qoftë edhe jo të formës së prerë- Irena me 5 mbiemra e ka të formës së prerë- shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit dhe Irena Gjoka nuk ka deklaruar një gjykim, një dënim dhe dy dëbime, por mbrohet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga një bashkëpunëtor krimi që quhet Altin Troplini”.
Ish-kryeministri Sali Berisha është nën hetim për akuzat e korrupsionit për aferën e klubit sportiv “Partizani”, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, së bashku me biznesmenin Fatmir Bektashi, përballen me akuza për përfshirje në afera korruptive dhe aktivitete të paligjshme të pastrimit të parave.
Në të njëjtën çështje penale, edhe dy persona të tjerë, Xhimi Begeja, bashkëpronar i Malltezit, dhe Andia Pustina, e punësuar si financiere në kompaninë “Homeplan”, janë vënë nën akuzë nga prokuroria për pjesëmarrje në struktura të organizuara për pastrimin e të ardhurave të dyshimta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



