Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke vënë theksin te kufizimi i përdorimit të masës së arrestit me burg.
Rama tha se gjykatat duhet ta nisin vlerësimin nga liria dhe të shqyrtojnë fillimisht masat më të buta të sigurisë. Sipas tij, për veprat që parashikojnë dënim deri në 3 vite nuk do të caktohen masa shtrënguese, ndërsa për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë arrest me burg.
“Procedimi penal duhet të nisë nga zanafilla e lirisë, jo nga burgu si zanafillë.
Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të nisë nga arresti në shtëpi. Për veprat me dënim 3 vjet, nuk do caktohen masa shtrënguese. Nën 5 vjet s’do të ketë arrest me burg. Natyra e veprës nuk do mjaftojë më. Rreziku duhet të jetë konkret dhe aktual. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të caktojë gjendjen pasurore. Çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë.
Paketa forcon edhe mbrojtjen e njerëzve me gjendje të cenueshme“, u shpreh Rama.
Nuk do të vendoset në masë arresti me burg asnjë grua shtatzënë apo nëna që kanë fëmijë deri në 6 vjeç. Masa nuk do të vendoset as ndaj babait të një fëmijë 6 vjeç kur nëna ka vdekur, me përjashtim të krimeve të rënda.
Edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, të sëmurët apo personat nën varësi të drogës kanë mbrojtje të veçantë.
Paketa vendos gjithashtu rregulla për prezumimin e pafajësisë dhe publikimin e materialeve të hetimit, përfshirë kufizime për publikimin e përgjimeve dhe të dhënave të caktuara.
Sipas kryeminsitrit Rama, përgjegjësia për nxjerrjen e sekretit nuk do të bjerë mbi median, por mbi personin që ka detyrimin ligjor ta ruajë atë.
Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.”
Gjithashtu, paketa e ndryshimeve nuk do të zbusë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
”Për korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, krimet me armë ose dhunë të rëndë dhe çështjet e Gjykatës së Posaçme, ruhen regjime të posaçme”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje