Një avion i Flydubai që po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit u devijua dhe u ul në Tabuk të Arabisë Saudite pas një incidenti të rëndë në kabinën e pilotimit. Sipas raportimeve paraprake, njëri prej pilotëve dyshohet se sulmoi me thikë kolegun, ndërsa avioni humbi lartësi dhe transmetoi kodet e emergjencës 7700 dhe 7500, që lidhet me një situatë rrëmbimi ose ndërhyrjeje të paligjshme.
Në bord ndodheshin 174 pasagjerë, përfshirë 27 fëmijë, ndërsa autoritetet saudite dhe kompania Flydubai po hetojnë ngjarjen për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për një konflikt mes pilotëve apo një përpjekje për marrjen e kontrollit të avionit.
Një video e shpërndarë nga mediat izraelite tregon dikë në bord duke përshkruar çfarë ndodhi.
Personi në fjalë, i cili është i gjakosur në fytyrë dhe po filmon veten, thotë: “Jemi këtu… avioni… sapo kemi marrë kontrollin nga terroristët. Po bëhemi gati të ulemi. Kushdo që më dëgjon: kemi nevojë për ndihmë. Po ulemi në Tabuk.”

“Të gjithë në bord janë mirë dhe të padëmtuar, përveç pilotit. Na duhet ndihmë”, shton ai.
Siç raportoi BBC më herët, pasagjerët u kanë thënë mediave izraelite se dy pilotë që ishin ulur në pjesën e pasme të avionit ndihmuan në uljen e tij.
Një tjetër pasagjer, Almog Itali, i tha mediave se këta dy pilotë ishin “pilotë zëvendësues” që supozohej të operonin një fluturim të mëvonshëm.
Sipas tij, njëri prej tyre ishte britanik. Itali shtoi se piloti i dytë ishte europian, por nuk specifikoi kombësinë e tij.
Ai tha se detajet e sakta të asaj që ndodhi në kabinë mbeten të paqarta, por pilotët zëvendësues stabilizuan avionin dhe e ulën atë në Arabinë Saudite.
Fluturimi i Flydubai FZ103 nga Dubai drejt Tel Avivit u devijua në Arabinë Saudite rreth dy orë pas ngritjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje