Politike

PD kërkon mocion me debat dhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për fondet e IPARD

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat si dhe ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, në lidhje me gjetjet e OLAF për fondet e programit IPARD për bujqësinë.

Në kërkesë theksohet se Kuvendi duhet të marrë masa konkrete për të siguruar mekanizmat e nevojshëm që mbrojnë interesat financiare të Bashkimit Evropian nga aktivitetet ilegale, si dhe të garantojë që fermerët shqiptarë të përfitojnë në mënyrë të drejtë dhe transparente nga ky program mbështetës.

“Abuzimet me fondet e IPARD dëmtojnë jo vetëm fermerët shqiptarë, por edhe besueshmërinë e vendit në procesin e integrimit europian. Kuvendi duhet të garantojë transparencë të plotë dhe të ndërmarrë masa të qarta për të shmangur përsëritjen e këtyre skandaleve”, thuhet në argumentimin e kërkesës.

Kërkesa është nënshkruar nga deputetët Bledion Nallbati, Igli Cara, Saimir Korreshi, Xhelal Mziu, Jorida Tabaku, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi.

Sipas opozitës, ngritja e një Komisioni të Posaçëm do të shërbejë për të hetuar mënyrën e përdorimit të fondeve, për të identifikuar përgjegjësitë institucionale dhe për të përcaktuar reformat e domosdoshme në mënyrë që mbështetja e BE-së për bujqësinë të shkojë realisht tek fermerët dhe jo tek abuzuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë