Bota

SHBA dhe Irani ngecin te plani 7-ditor, palët nuk bien dakord se kush do të bëjë lëvizjen e parë

Negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po vazhdojnë, por palët ende nuk kanë rënë dakord për mënyrën dhe rendin e zbatimit të planit shtatëditor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mori në Doha përgjigjen e SHBA-së ndaj propozimit të Teheranit. Dokumenti pritet të diskutohet në Iran, ndërsa Katari vijon përpjekjet për të afruar qëndrimet.

Sipas burimeve të përfshira në negociata, mosmarrëveshja kryesore nuk lidhet me vetë elementët e planit, por me radhën e hapave dhe garancitë që duhet të jepen. Pyetja kryesore është se cila palë do të ndërmarrë veprimin e parë.

Plani shtatëditor synon të krijojë besim mes Uashingtonit dhe Teheranit dhe të hapë rrugën për një marrëveshje më të gjerë.

Katari shprehet optimist se diplomacia mund të sjellë rezultat, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka mohuar se ka ofruar lehtësim të sanksioneve apo lirimin e fondeve iraniane në këmbim të lëshimeve për programin bërthamor.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve mbeten të larta. Zyrtarë iranianë kanë kritikuar Trumpin, ndërsa negociatat vazhdojnë në përpjekje për të gjetur një marrëveshje që do t’i japë fund konfliktit disa muajsh mes Uashingtonit dhe Teheranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë