Politike

‘Për 7 vite nuk do punojë më në shtet’, masa të ashpra për punonjësit që ndërtojnë pa leje

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama u shpreh se çdo punonjës i shtetit që ka kryer ndërtime pa leje do të ndalohet të punojë në shtet për 7 vite, nga momenti që do konstatohet dhe t’i njoftohet masa përveç pasojave tjera si çdokush tjetër.

Ai tha se të ‘luash sy më sy me autoritetin’, do konsiderohet e pafalshme.

Ndër të tjera, Rama bëri me dije se çdo ndërtim që do të ndodhë në Shqipëri, do të ketë persona përgjegjës që do të japin llogari për çdo shkelje të lejes apo certifikatë false të hartuar dhe gjatë punimeve paraprake.

“Populli pyet se çfarë bëhet me ata që duhet të bëjnë kontrollet. Sporti i ndërtimit pa leje është zhvilluar si sport kombëtar, ne e kemi ulur kurbën. Ky sporti kombëtar është nxitur nga lart, dikush para meje e quante Bathoren si mrekulli të tetë të botës, sepse ishte një vend, ndërtuar pa leje i gjithi.

Edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje. Nëse konstatohet se punonjësi i shtetit ka kryer punime pa leje, do ndalohet të punojë në shtet për shtatë vite. Kjo do ndodhë nga momenti që do të konstatohet. Mund të ketë edhe pasoja të natyrës penale, se po konsultohen ndryshimet e reja penale”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë