Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se arkitektët do të përballen me përgjegjësi ligjore nëse do të konstatohen shkelje gjatë zbatimit të një projekti ndërtimi.
Sipas tij, ka pasur raste ku arkitektët kanë qenë nën trysni nga ndërtuesit për të bërë devijime në projekt.
“Kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit duke e kthyer arkitektin në subjekt të ligjit dhe duke e ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së projektit, bëhet e pamundur që çfarëdo presioni nga ndërtuesi të funksionojë mbi arkitektin pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë është ai që paguan pasojat.
Po ashtu, një tjetër risi është formalizimi i mënyrës së njoftimit, duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe mbikëqyrëse para fillimit të çdo punimi, që procesi të jetë i gjurmueshëm dhe i dokumentuar “, tha Rama.
Duke prezantuar masat e masat e marra nga qeveria për forcimin e kontrollit mbi territorin, Rama tha se për të gjitha ndërtimet e reja, uji dhe dritat do të lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit.
“Uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit. E keni parasysh që arsyeja pse njerëzit mbetem pa hipotekë është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga Bashkitë është kontestuar të jetë e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




