Ngjarje

Dita e Shën Mërisë, festa që simbolizon shpresën dhe dashurinë hyjnore

Nga Gazeta “SI”- 15 gushti është një nga datat më të rëndësishme të kalendarit kishtar, e kremtuar nga besimtarët e krishterë në mbarë botën. E njohur si “Fjetja e Hyjlindëses” në traditën ortodokse dhe “Ngjitja e Zojës në Qiell” në traditën katolike, kjo festë bashkon përplotësimin shpirtëror me gëzimin e shpresës për jetën e përjetshme.

Sipas besimit ortodoks, më 15 gusht përkujtohet çasti kur Nëna e Krishtit, e njohur si Hyjlindësja Mari, u nda nga jeta tokësore dhe u bashkua me Birin e saj në mbretërinë qiellore. Festa paraprihet nga dy javë agjërimi, si përgatitje shpirtërore për këtë ditë të shenjtë. Kjo ngjarje, që shpesh quhet edhe “Marrja”, përkujton vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Virgjërës Mari, duke shpallur se ajo “u mor” nga Perëndia në përmbushjen e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Në Shqipëri, Kisha Orthodhokse Autoqefale ka përcaktuar kalendarin e shërbesave dhe pelegrinazheve në të gjitha kishat dhe manastiret e kushtuara Fjetjes së Hyjlindëses. Ikonografia e saj është e pranishme në afresket e shumta të kishave anembanë vendit, duke qëndruar krah skenave të tjera biblike si Lindja e Virgjërës dhe Hyrja e saj në Tempull.

Ngjitja e Zojës në Qiell në traditën katolike

Në të njëjtën ditë, besimtarët katolikë kremtojnë Ngjitjen e Zojës në Qiell apo “Zojën e Madhe” siç njihet në kulturën shqiptare , një solemnitet që simbolikisht vendoset në mes të verës si periudhë çlodhjeje e ripërtëritjeje shpirtërore.

Kishat kushtuar Zojës së Madhe janë të shumta në trojet shqiptare: nga Barbullushi në Shkodër, Mamurrasi në Tiranë, Kaçë-Naraçi në Sapa, Gruda e Kollomza në Mal të Zi, Letnica në Karadak dhe Zymi i Hasit në Kosovë. Këto vende pelegrinazhi janë dëshmi të gjalla të identitetit shpirtëror dhe trashëgimisë fetare e artistike të shqiptarëve.

Më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpalli si dogmë të zbuluar prej Hyjit të vërtetën e Ngjitjes së Marisë në Qiell, duke theksuar tri të vërteta themelore: të pamëkatshmen e saj, amësinë hyjnore dhe virgjërinë e përhershme. Maria, e përjashtuar nga mëkati që nga lindja, përjetoi lavdinë e ringjalljes së trupit, jo me forcën e vet si Krishti, por e tërhequr nga dashuria e Birit të saj.

Si në traditën ortodokse ashtu edhe në atë katolike, 15 gushti më shumë se një përkujtesë historike; është një thirrje për shpresë dhe për bashkim me Hyjin. Figura e Marisë, që mori pjesë në “virtytin e ringjalljes së Krishtit”, është për besimtarët modeli i përkryer i besimit, përulësisë dhe dashurisë së pastër.

Kardinali Léon-Joseph Suenens e përshkruante këtë ngjarje si “një predikim të qëllimit të fundit, një vizion të pasur me imazhe”, duke na kujtuar se shpirti është i pavdekshëm dhe se lavdia e trupit do të përmbushet në ringjalljen përfundimtare, ashtu si te Maria.

Në çdo kishë, ikonë dhe pelegrinazh kushtuar kësaj feste, besimtarët shohin kujtimin e një ngjarjeje të shenjtë, dhe premtimin në  të gjallë se jeta e përjetme është një realitet që na i hap dyert, vetëm nëpërmjet dashurisë hyjnore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë