Nga Gazeta “Si”– Pas çlirimit të Kosovës, arti dhe kultura janë shndërruar në ura lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes, si përpjekje e vazhdueshme për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare. Ndër fushat ku shoqëria kosovare është rilidhur më së shumti me vetveten si në aspektin tradicional, ashtu edhe atë modern është arti cilësor i cili ka zënë një vend të rëndësishëm, i mbështetur vazhdimisht nga artistë të pavarur dhe institucione kulturore.

Një ndër ngjarjet më të veçanta që tashmë është kthyer në traditë është festivali kulturor “Ditët e Shqiptarit”, i cili organizohet çdo verë në qytetin e Gjakovës, nga korriku deri në gusht. Ky festival ka tejkaluar përmasat lokale, duke u shndërruar në një ngjarje mbarëkombëtare që mbledh artistë, intelektualë dhe vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë.
Me pjesëmarrjen e emrave të njohur si Ermonela Jaho, Elina Duni, Vlashent Sata, Jericho, Lorik Cana apo shkrimtarit Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” kthejnë Gjakovën për disa fundjava me radhë në epiqendrën e artit, kulturës dhe dialogut ndërshqiptar. Por festivali nuk kufizohet vetëm në artin skenik. Aktivitetet përfshijnë kolonitë e piktorëve, teatrin e rrugës, kulinarinë tradicionale, ekspozita, sporte dhe kërcime ikonike nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit , gjithçka në funksion të një përvoje të thellë kulturore, të rrënjosur në autenticitetin shqiptar.

Organizatori dhe një nga themeluesit e këtij festivali, Ermal Hasimja, rrëfen për Gazetasi.al se Gjakova është një nga qytetet më artdashëse, dhe si i tillë e mbështet dhe e ndjek artin me interes. Sipas Hasimes, aktivitetet kulturore në Gjakovë synojnë të shtrihen përgjatë gjithë vitit.
“Ditët e Shqiptarit” janë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga Fondacioni për Gjakovën. Tingëllon emër i madh, por në fakt fondacioni është thjesht një grup vullnetarësh gjakovarë që po përpiqen të nxjerrin në pah vlerat kulturore të qytetit. Aktivitete të ngjashme organizohen edhe në nëntor, pranë festës së flamurit, ose në kohë të tjera gjatë vitit. Synimi afatgjatë është që aktivitetet të shtrihen përgjatë gjithë vitit.

“Ditët e Shqiptarit” janë pritur shumë mirë. Është një qytet që e vlerëson artin e kulturën. Për më tepër, gjatë festivalit Gjakova është plot me vizitorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e vende të tjera. Festivali fokusohet te autentikja shqiptare. Nuk ka tallava apo zhanre të tjera të hiperkomercializuara. Muzika e vjetër qytetare është thelbësore, sepse qyteti jeton me muzikën, por festivali përfshin edhe kuzhinën tradicionale, koloni piktorësh, teatër rruge, kërcimet e famshme nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit, panele diskutimi me intelektualë, etj.
Që nga Ermonela Jaho, grupi muzikor Jericho dhe deri te Kim Mehmeti, “Ditët e Shqiptarit” duket sikur duan dhe kërkojnë të përfshijnë të gjithë. Por përtej pasionit dhe punës për të realizuar këto evente, ka edhe një kriter përzgjedhjeje për të ftuarit në “Ditët e Shqiptarit”.

“Për këto aktivitete punohet gjithë vitin. Secili nga grupi është i angazhuar maksimalisht sipas profilit të vet. Disa nga anëtarët e Fondacionit kontribuojnë edhe financiarisht për financimin e aktiviteteve. Kriteri i vetëm i përzgjedhjes është i thjeshtë: ne afrojmë kulturën autentike shqiptare. Prandaj të gjithë koncertet janë shqip, kuzhina është gjakovare, të ftuarit artistë ose intelektualë janë shqiptarë dhe diskutojnë tema shqiptare e kështu me radhë.
Ne synojmë ta kthejmë Gjakovën në qendrën e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe natyrisht edhe në qendër të turizmit të përvojës shqiptare.”
Ermal Hasimja, i njohur si politolog, pedagog dhe së fundmi edhe si shkrimtar në Shqipëri, na tregon edhe lidhjen e tij të ngushtë me Gjakovën.

“Origjina ime është nga Gjakova. Jam rritur që i vogël me dashurinë për këtë qytet. Dikujt nga jashtë mund t’i duket e çuditshme, por kjo ka qenë element thelbësor i identitetit tim vetjak e familjar. Nuk jam rast i veçantë. Çdo gjakovar, kudo ku është, ka një lidhje të fortë me qytetin dhe me këtë ushqehet që i vogël prej familjes. Në fakt, i gjithë qyteti është një familje e madhe.”
Ai thekson se “Ditët e Shqiptarit” janë konceptuar si sofër gjakovare që pret mysafirë nga e gjithë Shqiptaria, me synimin për t’i njohur me mikpritjen dhe shpirtin artistik të gjakovarëve.
“‘Ditët e Shqiptarit’ nuk është festë vendore. Përkundrazi, është konceptuar si një sofër gjakovare që pret mysafirë nga gjithë trojet shqiptare si dhe të huaj. Mirëpo, kush erdhi në Gjakovë e u ndje i huaj?! Gjakovarët janë mikpritës me nam, të dashur, me një sens humori që e konkuron vetëm Shkodra, dhe e duan shqiptarësinë siç duan familjen e tyre.

Ne duam që këto vlera t’i rikthejmë në vëmendje. Nuk jemi të vetmit, sepse komuna po bën një punë të mirë dhe na mbështet edhe neve, bizneset po rigjallërohen dhe i gjithë qyteti po rizgjohet për të dalë natyrshëm në rolin e tij karakteristik kulturor.”
Hasimja në fund thotë se skena kulturore në Kosovë po gjallërohet dhe kjo falë edhe festivaleve të tilla si ky.
“Vështirë të bëhet krahasimi, sepse kjo varet edhe nga natyra e cilësia e festivaleve. Është e sigurt që skena kulturore po gjallërohet. Por festivale si ‘Ditët e Shqiptarit’, me karakter kulturor e identitar, janë të një rëndësie të veçantë në epokën globaliste ku jetojmë.”
Në një kohë kur komercializimi dhe arti sipërfaqësor shpesh mbizotërojnë në hapësirat kulturore, “Ditët e Shqiptarit” në Gjakovë vijnë si një rikthim te thelbi, te rrënjët, te dija dhe ndjeshmëria shqiptare.

Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore por një ftesë për të festuar identitetin dhe vlerat e përbashkëta. Dhe Gjakova, me mikpritjen e saj të rrallë duket se ka gjetur formulën për të qenë jo vetëm qyteti i artit, por edhe zemra e kulturës shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



