Menaxhim

33 punëtorë vdiqën në vendin e punës gjatë 2024-s

Nga Gazeta ‘SI’ – 33 punonjës humbën jetën duke punuar gjatë vitit 2024, ndërsa 144 të tjerë u plagosën.

Të dhënat e Inspektoriatit të Punës tregojnë se sektori i ndërtimit dhe i minierave janë burimi më i madh i vdekjeve, nga ku janë raportuar respektivisht, 11 dhe 5 të vdekur. Sipas shifrave, për 3 vitet e fundit, ka një trend në ulje të numrit të punëmarrësve të aksidentuar në punë.

Në 2024-n, Inspektoriati kreu 224 inspektime në të gjithë Shqipërinë mbi aksidentet në punë dhe vendosi 50 masa pezullimi dhe 69 gjoba.

Gjatë vitit 2024 janë inspektuar 9.860 subjekte ekonomike private e shtetërore, me numër total punonjësish 190.340. Nga një vit më parë inspektimet janë ulur me 1% raporton ISHPSH, për shkak të vakancave në institucion.

Një shqetësim i tillë u raportua edhe nga Organizata Botërore e Punës pak javë më parë, ku i kërkonte qeverisë shqiptare të përmirësonte proceset e punës së Inspektoriatit

Numri i inspektorëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha subjektet dhe për të siguruar monitorimin e duhur, thekson Organizata. Përpos kësaj, inspektorët janë të kufizuar për të bërë punën e tyre dhe për shkak të mungesës së transportit. Në inspektoriatin e Punës, ILO thotë se janë 22 vende vakante pune dhe i kërkon qeverisë që të marrë masat e nevojshme dhe ta mbështesë Inspektoriatin me buxhetin e nevojshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë