Politike

Midis Akropolit dhe Omonias-Si po luftojnë Rama dhe Berisha për votat e emigrantëve

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa 11 maji është pakgjë larg, si mazhoranca, ashtu edhe opozita po orvaten drejt një qëllimi të përbashkët: votat e diasporës.

Një nga kalatë më të mëdha që kërkojnë të marrin është padyshim Greqia, aty ku është dhe numri më i lartë i emigrantëve shqiptarë.

Në më pak se 10 ditët e fundit, kryeministri Edi Rama, sakaq edhe kreu i PD Sali Berisha, e kanë zhvendosur jopak vëmendjen e tyre në çështje matanë kufirit, në shtetin fqinj.

Megjithëkëtë, pavarësisht se qëllimin e kanë të njëjtë, qasjet e tyre dhe kartat me të cilat po luajnë, nuk janë fort të ngjashme.

Nëse iu hedhim një sy intervistave të tyre të fundit për mediat fqinje, mund të kuptojmë lehtësisht se dy mekanizmat e tyre për këtë strategji elektorale, po i manifestojnë në forma të ndryshme.

Berisha rreket të përfitojë nga pakënaqësia e Athinës për Ramën

Në një intervistë të dhënë një javë më parë për mediat greke, Sali Berisha u përpoq t’i jepte garanci Greqisë se ai është një alternativë më e mirë se Rama.

‘Thembra e Akilit’ ishte padyshim ‘Çështja Beleri’ e cila krisi jo pak marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës Zyrtare sëfundmi.

Berisha insistoi që ai u arrestua me fakte të rreme, akuzoi Ramën se shkeli shtetin ligjor duke mos lejuar që Beleri të bënte betimin dhe premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, një rast i tillë i cili do shkakonte përplasje të kësaj natyre, nuk do të përsëdytej më.

Berisha në takimin e tij me emigrantët në Athinë

Mandej, ai u kujdes të prekte një nga çështjet e cila mërziti grekët në kohën kur Rama erdhi në pushtet: ajo e kufijve detarë.

Berisha tha se do të zgjidhte çështjen e Marrëveshjes së Detit, të cilën ai e portretizoi si një marrëveshje win-win për të dyja palët.

(Kjo marrëveshje, e cila u firmos në 2009-n, atëbotë kur në krye të qeverisë ishte Berisha, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese).

Berisha akuzoi Ramën i cili pas refuzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ra dakord me dy qeveritë pasardhëse greke që ta dërgonin çështjen e “Detit” për rishikim në Hagë.

(Procesi ka hasur vonesa për shkak të zhvillimeve të tjera politike).

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, Berisha preku sakaq një temë tjetër për të cilën Athina ka qenë një kritike e zëshme karshi qeverisë Rama: atë të pronave.

Ai premtoi një qasje ndryshe ndaj minitoritetit grek duke siguruar se qeveria e tij do të mbrojë të drejtat e tyre dhe do të garantojë pronat e tyre në jug. 

Berisha deklaroi se akti i parë që do të bënte nëse do të vinte në pushtet, do ishte anulimi i ligjit për investimet strategjike ndërsa shtoi se do të punonte edhe në drejtim të çështjes së pensioneve.

Rama ‘luan me kartën e historisë’

Kur në 24 shkurt kryeministri Edi Rama dha një intervistë për televizionin grek ‘Mega’, u kujdes të theksonte disa herë se megjithëse ka pasur periudha tensionesh, Shqipëria dhe Greqia kanë interesa të përbashkëta dhe duhet të punojnë së bashku për t’i dhënë fund sfidave historike.

Kjo, sipas tij, mund të bëhej fillimisht me heqjen e ligjit të luftës, i cili, pavarësisht marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, mbetet ende në fuqi nga ana e Greqisë.

Për Ramën, ky ligj është një absurditet historik që nuk përputhet më me realitetin e sotëm. Ekzistencën e tij, ai e quajti një simbolikë të papranueshme dhe një pengesë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Megjithatë, ndryshe nga Berisha që u përpoq të ishte më konkret dhe më i thukët në premtimet e tij, Rama ka zgjedhur që të luajë me kartën emocionale e historike të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.

Rama gjatë takimit me emigrantët, Athinë

Në maj të vitit të kaluar, teksa zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë, Rama zgjodhi ‘t’i dërgonte’ të fala homologut të tij grek, me një poezi të Naim Frashërit duke prekur një temë të ndjeshme për diasporën shqiptare.

“Dëshira e vërtetë e shqiptarëve: duam me të gjithë fqinj sllavë dhe grekë të jetojmë në harmoni, me rend dhe paqe, le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi. Mjaftojnë tiranitë që kemi kaluar, është koha e miqësisë dhe lirisë”.

Mesazhi ishte i qartë: duhej normalizim në marrëdhëniet diplomatike!

Sakaq, të dielën (2 mars), në një takim që mbajti po në Athinë, qasja e Ramës ishte konsistente. Në të gjithë diskursin e tij, ai u përpoq që më shumë se trajtimin e çështjeve diplomatike, të prekte drejtpërdrejtë emigrantët shqiptarë.

Rama u ndërmendi atyre historinë dhe peripecitë që kanë kaluar në të shkuarën. Për këtë, ai i atribuoi qeverisë së tij, meritën e rritjes së respektit të munguar në sytë e Europës.

“Të tjerët nuk na shohin më si qenie të kategorisë së dytë, por e kanë kuptuar që ne e kemi shumë seriozisht dhe që me ne ka një kusht që nuk e negociojmë: respekt për respekt. Japim respekt, duam respekt ndryshe me ne nuk mund të shkohet më tutje pa u ndalur në çdo moment kur mungon respekti.”

Edhe kur foli, për programin e mbështetjes financiare për 50 mësues të gjuhës shqipe, ai sërish e drejtoi retorikën tek identiteti dhe rrënjët me atdheun.

“Misioni patriotik për të trashëguar gjuhën shqipe është një mundësi më shumë për t’u kthyer e për të jetuar aty ku e kanë zemrën, në Shqipëri”, tha Rama.

Në mbyllje, ndërsa theksoi se marrëdhëniet me Greqinë janë të mira, ai tha se të dy vendet do jenë të barabarta në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Këtë anëtarësim, të cilin Rama e aspiron në 2030-n, ai e sheh si boshtin që do eukilibrojë raportet Shqipëri-Greqi.

“Duke qenë sëbashku me Greqinë në të njëjtën tryezë si ta barabartë, do jemi dhe më të fortë si lagje e Ballkanit”, mbylli Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë