Bota

Një nga protestuesit që sulmoi Capitol Hill punësohet në Pentagon!

Gazeta Si – Një emërim i ri brenda administratës amerikane po nxit polemika në qarqet politike të Uashingtonit.

Pentagoni ka punësuar Elias Irizarry-n, një nga pjesëmarrësit në sulmin në Capitol Hill më 6 janar 2021, në një pozicion në operacione speciale dhe kundërterrorizëm.

I riu, tani 25 vjeç, ishte dënuar për pjesëmarrjen e tij në sulmin ndaj Capitol Hill oe Kongresit Amerikan, ku u vranë gjatë përleshjeve me policinë 4 persona.

Edhe pse nuk ishte i përfshirë në sulmin ndaj oficerëve të policisë, ai pranoi përgjegjësinë e tij dhe vuajti një dënim me 14 ditë burg.

Më pas, ai ishte mes atyre që u falën nga Donald Trump për ata që ishin të përfshirë në sulm, një ngjarje e paprecedentë në historinë e SHBA-ve.

Sipas gazetës “Washington Post”, Irizarry do të punojë në Zyrën e Operacioneve Speciale dhe Konfliktit me Intensitet të Ulët, një njësi që merret me misione veçanërisht të ndjeshme, duke përfshirë operacionet kundër terrorizmit, shpëtimin e pengjeve, mbrojtjen diplomatike dhe ndërhyrjet në territor armiqësor.

Emërimi thuhet se ka shkaktuar pakënaqësi të fortë brenda Departamentit të Mbrojtjes. Disa zyrtarë kanë vënë në dyshim përshtatshmërinë e besimit të një detyre kaq të ndjeshme dikujt të dënuar për pjesëmarrje në atë që shumë e konsiderojnë një nga sulmet më serioze ndaj institucioneve demokratike amerikane.

Zëdhënësi i Pentagonit e mbrojti zgjedhjen, duke e quajtur Irizarry-n “një patriot të kualifikuar” dhe duke shpjeguar se ishte një emërim politik.

Megjithatë, debati mbetet se si i riu mori lejet e sigurisë që normalisht kërkohen për të hyrë në objekte dhe informacione të ndjeshme.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Incidenti i bën jehonë një episodi tjetër të diskutueshëm në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2025, Jared Wise, një ish-agjent i FBI-së i përfshirë në ngjarjet e 6 janarit dhe i akuzuar për nxitje të një turme kundër zbatimit të ligjit, u emërua këshilltar në Departamentin e Drejtësisë pas betimit të Trumpit si president.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë