Nga Gazeta ‘Si’- Një delegacion parlamentar nga Shqipëria zhvilloi një vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit në SHBA.
Në këtë delegacion kanë qenë pjesë deputetët e PS-së, Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe ambasadori shqiptar në Uashington, Ervin Bushati.
Ata zhvilluan një takim me të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi me një postim në rrjetin social Facebook për këtë takim në DASH. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi thotë Shqipëria si vend i NATO-s duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE.
Një reagim e pati edhe deputeti i PS, Gjiknuri i cili shkruan se gjatë takimit është nënvizuar angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së në rajonin e Europës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor. Ai deklaron se SHBA vazhdon që të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e integrimit të vendit tonë në BE.
“Nënvizuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, kordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë”, shkruan Gjiknuri.
Kjo është vizita e parë e një delegacioni shqiptar në Departamentin e Shtetit pas ndryshimeve në qeverisjen në SHBA dhe ardhjes në krye të Presidencës të Donald Trump dhe në DASH të Sekretarit të Shtetit Marco Rubio.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




