Nga Gazeta ‘Si’ – Në GJKKO ka përfunduar seanca paraprake për Sali Berishën, Jamarbër Malltezin dhe të pandehurit e tjerë të dosjes “Partizani”.
Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm Sali Berisha dhe dhëndri i tij, ndërsa avokatët dhanë argumentet e tyre mbrojtëse. Fillimisht dhanë argumentet e tyre avokatët e Jamambër Malltëzit, më pas u vijua me mbrojtjen e Fatmir Bektashit, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Po ashtu argumentet e tyre u lexuan edhe nga avokatët e dy shoqërive Homeplan shkp dhe kontakt shpk.
Në një prononcim për mediat, avokati Genc Gjokutaj tha se nga avokatët e Malltezit, u denoncua prapavija politike e këtij procesi, pasi sipas tij, “Malltezin e akuzojnë në bashkëpunim me Sali Berishën për korrupsion të zyrtarëve të lartë, ndërkohë që ai nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë dhe nuk është subjekt i kësaj çështje”.
“Problemi është që për shkak të mungesës së faktit penal, avokati kërkoi pushimin. Në alternativë, nëse gjykata nuk bindet, kërkoi kthimin, për t’i vendosur SPAK-ut detyra specifike, siç është thirrja e Edi Ramës në SPAK për t’u pyetur në lidhje me transformimin e asaj prone nga klub sportiv në truall ndërtimi dhe të gjitha veprimet e kryera – të cilat për hir të së vërtetës ndodhen në dosje, por nuk përmenden nga prokurori – me autorësinë e Kryeministrit”, tha Gjokutaj.
Ndërkohë, seanca e radhës është caktuar më 5 shkurt në orën 09:00.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




