Nga Gazeta ‘SI’ – Në luftën kundër pastrimit të parave, ministria e Financave ka nxjerrë një udhëzim ku të gjitha institucionet financiare nga bankat tek pikat e këmbimit valutor, duhet të monitorojnë, gjurmojnë e raportojnë transaksionet e dyshimta.
Udhëzimi i ri i detyron institucionet të krijojnë një “profil rreziku” për klientit që kryejnë transaksione të dyshimta. Kështu, bankat apo subjektet tjera financiare duhet të mbledhin informacione për klientin e dyshuar, nga pronat e tij tek marrëdhëniet e biznesit. Informacioni përditësohet për aq sa vazhdon marrëdhënia klient-bankë, jo më pak se 1 herë në vit për ata me rrezik të lartë, 1 herë në 3 vjet për klientët me rrezik të mesëm, dhe 1 herë në 5 vjet për klientët me rrezik të ulët.
Udhëzimi thotë se subjektet që janë të paafta të zbatojnë detyrimet e vigjilencës së duhur ndaj klientit nuk duhet t’i ofrojnë atyre shërbime.
Institucionet duhet të marrin masa edhe për vlerësimin e rrezikut të pastrimit të parave që lidhen me zhvillimet e produkteve të reja, p.sh kriptomonedhat e të ngjashme. Subjektet duhet të zbatojnë procedura specifike dhe të marrin masat e duhura e të efektshme për të parandaluar rrezikun që lidhet me transaksionet apo marrëdhëniet e biznesit, të kryera pa praninë fizike të klientit.
Lista e klientëve që duhet të gjurmojnë bankat nis me personat e ekspozuar politikisht, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre. OJF-të, organizatat ligjore, marrëdhëniet e biznesit me klientë jorezidentë, shoqëri që kanë aksione të mbajtësit, për të gjitha transaksionet komplekse, me vlera të larta dhe të pazakonta, përfituesit e policave të sigurimit të jetës. Kjo kategori transaksionesh apo marrëdhënie biznesi do të konsiderohet nga subjektet paraprakisht si një faktor rreziku për të përcaktuar zbatimin ose jo të masave të vigjilencës së zgjeruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.