Politike

Nisin zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet, ministri Hoxha: 3.7 mln qytetarë kanë të drejtë vote

Nga Gazeta Si- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në një deklaratë të dhënë tha se kanë nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e 11 majit.

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka nisur procesin e verifikimit dhe përditësimit të listave zgjedhore, me qëllim garantimin e një liste përfundimtare të saktë dhe gjithëpërfshirëse.

Ndër të tjera Hoxha theksoi se në mënyrë që procesi të jetë i sigurt dhe gjithëpërfshirës, qytetarët janë ftuar që të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore: Online, përmes portalit e-Albania dhe fizikisht, pranë njësive administrative ku listat janë afishuar.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Hoxha thotë se të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 shtetas.

Ndër ta, 50.5 % janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5 % janë femra.

“Deri në këtë moment të papërfshirë në listë janë 4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri në 11 maj 2025. Për të siguruar të drejtën e votës, këta qytetarë duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile, për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve”, tha Hoxha.

Aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050.

Ministri tha se për zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit, lista paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.

“Nga data 11 janari 2025 shënohet fillimi i procesit të regjistrimit të votuesve jashtë Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë, në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni i KQZ.

Për regjistrimin nevojitet një pajisje elektronike për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimin apo fotografimin e dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë