Gazeta Si – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallëzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha; Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda; Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, Elton Alushi dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit pas tubimit të zhvilluar ditën e hënë.
Sipas PD, ata kanë peenguar tubimin, ushtruan dhunë dhe konsumuan 6 vepra penale. PD akuzon ministrin Hoxha dhe zinxhirin drejtues të policisë për protestën për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim.
Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që sipas PD-së dëshmojnë se tubimi i njoftuar ishte i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.
“Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit”, njoftoi zyra për shtyp e PD.
Në lidhje me protestën e të hënës, policia ka arrestuar 7 protestues, ndërsa janë proceduar 40 persona, 21 mes tyre deputetë të opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.