Politike

Rama, me ambasadorët në Shqipëri: Nuk kemi plan B, duam vetëm anëtarësim në BE

Gazeta Si – Në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, kryeministri Edi Rama u shpreh para ambasadorëve të huaj se Shqipëria nuk ka asnjë plan tjetër veçse integrimit në Bashkimin Europian.

“Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet”, tha Rama.

Kreu i qeverisë uroi që viti tjetër të shënojë hapjen e të tjerë grupkapitujve për t’iu përmbajtur objektivit të vendosur bashkë me KE për mbylljen e bisedimeve në fund të vitit 2027.

“E di shumë mirë që askush nuk do të na e bëjë të lehtë. Çdo centimetër që bëjmë përpara do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha, por dua që ta dini të gjithë se kjo është pikërisht ajo që duam, pa asnjë iluzion e asnjë pishman. Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni. Është detyra jonë dhe vetëm e jona të ndezim yllin e verdhë të Shqipërisë në qiellin blu të Bashkimit Europian”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mungesa e tij është zgjedhje e rëndë e Rusisë dhe jo e Shqipërisë. Ai ripërsëriti mbështetjen e Ukrainës, duke theksuar se Rusia kreu një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë.

“Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj!”.

Fjalimin e tij e mbylli me një falënderim për opozitën e tij më të fortë, bashkëshorten Linda Rama. Pikërisht, arsyeja e fitoreve të tij është stërvitja mirë me opozitën më të ashpër dhe të mirëpërgatitur që konsideron kryeministri.

“Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet larteposhtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”.  Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi!  Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes. Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them!  Për rrjedhojë, më lini të falënderoj sonte këtu edhe opozitën më të fortë dhe më lini t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, edhe në emër të saj, që jeni këtu me ne në këtë mbrëmje të këndshme të përvitshme”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë