Nga Gazeta 'Si'- Sali Berisha shpjegoi në konferencë për mediat pse nuk iu bashkëngjit grupit të deputetëve të opozitës që udhëtuan këtë të premte në Prishtinë për mbledhjen e përbashkët të Parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Berisha theksoi se nuk do të shkonte kurrë në Kosovë me kryeministrin Edi Rama dhe pa u miratuar rezoluta për të dënuar gjenocidin serb.
“Të shkoja unë në Prishtinë me Pashiçin?
Nuk do shkoja në asnjë rrethanë pa votuar rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë. Pa kërkesë ndjese, vërtet qeveria përfaqëson, por janë qytetarët e Kosovës gjithashtu, por duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për sanksionet që vuri Shqipëria. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për bashkërendimin me Vuçicin që veriu i Kosovës të merrej në dorëzim nga NATO. Duhet kërkuar ndjesë qytetarëve të Kosovës për përpjekjet për të përmbysur qeverinë e vet, gjer te ndalimi i këngës, himnit të Adem Jasharit, akti më simbolik, më domethënës. E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej”, tha Berisha.
Kryetari i PD shtoi se çdo ndërhyrje të Shqipërisë në problemin e dialogut Prishtinë-Beograd është antikombëtare.
“E konsideroj absolutisht bllokuese dhe jo nxitëse për zgjidhjet. Të gjitha propozimet e Edi Ramës, qëndrimet e bashkërenduara me Aleksandër Vuçiçin si argat i tij, kanë sjellë vendnumëro në procesin e negociatave, madje edhe acarime serioze midis këtyre dy vendeve. Shqipëria nuk mund të jetë as ndërmjetës, as pjesëmarrës. Shqipëria qëndron në anën e Kosovës”, tha Berisha.
“Shprehet për dialogun, por çdo hap tjetër i Shqipërisë e dëmton dialogun. Nuk ka asnjë tagër qeveria e Tiranës të japë formula apo skema, aq më tepër një qeveri që shpallte Dnjepër veriun e Kosovës. Aq më tepër një qeveri, e cila i thoshte Kosovës nënshtrohu ose do shkosh në kohën e bronzit. Aq më tepër një njeri, që i vendosi i pari në Europë sanksione Kosovës. Aq më tepër një njeri, i cili u përzie në plane për ndarjen, copëtimin e Kosovës me Beogradin. Një njeri që përkrahu Ballkanin e Hapur, një projekt të qartë ruso-serb. Por ka një zhvillim pozitiv këtu. Qeveria aktuale e Kosovës ka dëshmuar meritën për t’i shumëzuar me zero, për t’ia kthyer reston Pashiçit të Tiranës, njëlloj si Pashiçit të Beogradit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.