Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca e hapi seancën e përbashkët të dy parlamenteve me mesazhin që Shqipëria dhe Kosova kanë dëshmuar unitet përballë sfidave politike dhe gjeopolitike.
Në fjalën e tij kryeparlamentari kosovar vlerësoi Shqipërinë për mbrojtjen e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ky përbashkim i yni sot përbën më shumë sesa simbolikën. Kjo seancë duhet parë si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën pa asnjë kusht. Ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç interesit të kombit që për ne është i përbashkët.
Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Ky është bashkëpunim konkret në fushën e ligjvënies.
Përveçse përfaqësojmë një komb, ne synojmë të njëjtën familje. Shqipëria ka ecur në procesin e integrimit dhe ne duhet të mësojmë, pavarësisht masave të padrejta që na ka vendosur BE", deklaroi Konjufca.
Konjufca foli edhe për marrëdhëniet me Serbinë.
"Po mbyllim këtë vit nga agresione nga Serbia që po synojnë destabilizimit. Sulmi në Ibër Lepenc nuk konsiderohet ndryshe veçse sulm terrorist si ata që nuk na pranojnë si një rend ligjor dhe shtet sovran.
Sulmi vjen një vit pas atij në Banjskë, organizator i tij ishte Radoiçiç i mbështetur nga Vuçiç dhe ende nuk është ndëshkuar. Bashkimi ynë sot përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit institucional, duhet të shihet si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë”, u shpreh Konjufca në fjalën e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.