Nga Gazeta 'Si'- Mbledhja e parlamenteve Shqipëri-Kosovë për kreun e PD Sali Berishën, nuk mund të zhvillohet pa u miratuar rezoluta e rrëzuar për gjenocidin serb në Kosovë dha pa kërkuar falje për sanksionet që sipas tij Rama i vuri Kosovës.
Në të kundërt sipas Berishës, kjo do të ishte një hipokrizi kombëtare.
“Së pari, me datën 20 mblidhen dy parlamentet në Kosovë. Ky parlament nuk mund të shkojë në një mbledhje të përbashkët në një kohë kur ka hedhur poshtë rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, ndaj do kërkojmë me urgjencë që kjo rezolutë të votohet para se parlamenti të shkojë në sesion të përbashkët në mënyrë që të mos jetë një hipokrizi kombëtare, por të jetë një akt i pranueshëm kombëtar.
Së dyti, të kërkojë të falur sepse Edi Rama ishte i pari që vendosi sanksione ndaj Republikës së Kosovës. Ky parlament duhet të kalojë një rezolute ndjese publike kombëtare për aktin e turpshëm antikombëtar të Shqipërisë si asnjë vend tjetër fqinj, përveç Shqipërisë ndaj Kosovës”.
Berisha akuzon Ramën se e ndaloi këngën “Mora fjalë” në stadium me urdhër të Beogradit, duke e cilësuar këtë një akt poshtërues. Sipas tij kjo këngë është lehtësisht më e këndueshme për tifozerinë dhe nuk ka asnjë fjalë konfliktualiteti.
Dy parlamentet do të mblidhen nesër në Prishtinë. Të pranishëm do të jenë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe homologu Albin Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.