Politike

Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21.5% të territorit. Na latë trashëgimi pasuri natyrore të shkatërruara

Nga Gazeta 'Si'- Në interpelancën e sotme në Parlament për zonat e mbrojtura, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e tyre.

Kumbaro iu kundërpërgjigj deputetes së PD, Ina Zhupa duke theksuar se deri në vitin 2015 në Shqipëri nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura por shtoi se ishte mazhoranca ajo që e bëri.

Ajo gjithashtu tha se falë investimeve të qeverisë, 5 milionë turistë vizituan zonat e mbrojtura gjatë këtij viti.

“Ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte.

Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin shmangur.

Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen  e mbrojtjes në 21.5% të territorit! Po, sot 21.5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance! Dhe nuk ka qenë një vendim aspak i lehtë,plot  vende të tjera më të mëdha e kanë shumë më të ulët dhe askush nga vendet e rajonit nuk e ka marrë një të tillë vendim mbrojtës”, tha Kumbaro.

Ajo hodhi edhe akuza mbi qeverinë e përpara vitit 2013, duke thënë se ka shkaktuar dëme në zonat e mbrojtura dhe në biodiversitet.

“Pasuritë dhe burimet natyrore, aty kanë qenë ndër dekada, por për gjithë ato dekada as ka dashur të merret njeri, dhe as i ka pasur njeri në vëmendje se në prioritet jo se jo! Për t’i abuzuar, shkatërruar, ndërtuar kuturu pa kokë, pa plan e me babëzi siç na kanë parë sytë jo më larg por deri 10 vite më parë gjatë qeverisjes së kaluar deri në vitin 2013 kur mijëra e mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor, në zona natyrore e kulturore, në shtrate lumenjsh e plazhe me rërë…. Po, këtë na latë trashëgim ju!

Kjo ka qenë historia në 25 vite! Dhe nuk do përmend Bathoren, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër në Zonë të mbrojtur e degraduat në Bathoren e bregdetit, duke i hequr çdo arsye dhe argument për biodiversitet që ne me programet e rikualifikimit urban po e sjellim në terezi, duke ekuilibruar edhe problemet sociale të popullsisë me rrugë, ndriçim, kanalizime, me restaurime dhe rikualifikime të hapësirave publike, duke ua rritur vlerën edhe objekteve që tashmë janë vetëm pjesë e Historise, por edhe duke sinkronizuar ndërhyrjet e investitoreve privatë në sinergji me territorin, por me kritere të rrepta dhe vetëm me vendim të KKT”, u shpreh Kumbaro.

Në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, Kumbaro tha se përkundër pretendimeve ligji nuk cenon asnjë Direktivë Europiane dhe respekton parimet e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

“Siç jua kam thënë, ligji i ri e mban të përqëndruar tek Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin në territor te këtyre zonave! Ligji nuk cënon asnjë Direktive europiane, dhe respekton parimet e IUCN – organizmi sipëror kur vjen fjala për ekseprtizëm në administrimin e zonave të mbrojtura, i cili në udhërrëfyesin e menaxhimi te zonave të mbrojtura e thotë shumë qartë: ‘Janë shtetet ato që kanë tagrin e vendimit final dhe përgjegjësinë për administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të tokës dhe të ujit, prandaj jane vetë këto shtete që vendosin edhe për kategorinëhe administrimin e një zone të mbrojtur. Por ju këto as nuk i lexoni dhe as nuk doni t’i dini, sepse kërkoni dezinformim!’”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë