Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, ka folur për votën e diasporës, duke thënë se ishte një mision jo i lehtë, pasi sipas tij kërkonte një vullnet që shkon përtej ndasive partiake.
Rama tha se jemi në prag të një procesi zgjedhor "ku për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë do kemi votën e diasporës, me postë, nga aty ku banojnë."
“Vota e diasporës, një mision jo i lehtë. Është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe kërkon një votë më të madhe në numër se ajo e një shumice qeverisëse, arsye pse jemi vonuar për një kohë të gjatë.
Mendoj se si rezultat i punës së këshillit të diasporës, u realizua dhe sot jemi në prag të në procesi zgjedhor, ku për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë do kemi votën e diasporës, me postë nga aty ku banojnë. Është një sfidë më vete, nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do të jetë i pranishëm për të dhënë këndvështrimin e tij Teknik.
Ka një proces që herën e parë është kompleks, dhe pastaj bëhet më i thjeshtë që në momentin që personat janë të regjistruar”, tha Rama.
Gjithashtu Rama bëri me dije se shumë shtetas shqiptarë, po kërkojnë sërish shtetësinë shqiptare, pasi Gjermania hoqi dorë nga detyrimi për të patur nënshtetësi unike. Kreu i qeverisë i bëri thirrje Ministrisë së Jashtme t’ua garantojë sa më shpejt.
“Gjermania ka hequr dorë nga detyrimi për të patur nënshtetësi unike dhe ka hapur rrugën për të patur dy shtetësi. Deri dje, shqiptarët kanë hequr dorë nga nënshtetësia shqiptare, për të marrë atë gjermane.
Në kushtet kur kjo ka ndodhur, ka shumë shqiptarë që po kërkojnë rimarrjen e shtetësisë shqiptare dhe për këtë Ministria e Jashtme duhet të garantojnë një shërbim të shpejtë”, tha Rama.
Rama foli edhe për shërbimet online, duke thënë se vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë asistent në platformën e-Albania.
“Më vjen mirë që mund t'u themi shqiptarëve në diasporë që jeta e tyre është lehtësuar, në aspektin e shërbimeve konsullore, me dokumente dhe certifikata. Sot kemi shërbime të digjitalizuar. E-Albania është në shërbim të gjithë qytetarëve dhe së shpejti, vitin e ardhshëm do të lancojmë modelin e ri të Inteligjencës Artificiale në këtë platformë, dhe asistenti që është në shkrim do të kthehet i gjallë. Do të kryejë gjithë procesin e dhënies së shërbimit.
Nuk do të jetë një ndërveprim si ky i sotmi, do të jetë një komunikim direkt me video-call, ku në praninë tënde asistenti do ta bëjë për ty shërbimin. Ky do të jetë asistenti në mos i parë, nga të parët, në Europë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.