Politike

Reagimi i SHBA, PD: Jemi takuar me VanHorn, kërkuam qeveri teknike

Nga Gazeta ‘Si’ – Partia Demokratike ka reaguar pas postimit në platformën ‘X’ të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, bërë mëngjesin e sotëm, ku nënvizohej se nuk ndryshon kurs sa i takon marrëdhënies me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se reagimi nga selia diplomatike e SHBA vjen pas takimit që e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar gjatë javës së shkuar me disa deputetë të Partisë Demokratike.

Deputetët e opozitës, në takimin që kishin me të, kanë ngritur shqetësimin për zgjedhjet e 11 majit, përdorimin e pushtetit gjatë procesit elektoral, ndikimin e krimit të organizuar, por edhe sa i përket hapësirës së opozitës në Kuvend.

PD është ankuar edhe për pavarësinë e institucioneve veçanërisht të atyre të drejtësisë, ku kanë kërkuar edhe në këtë bisedë krijimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve.

Pjesë e takimeve kanë qenë 6 deputetë, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Tomorr Alizoti, Helidon Bushati dhe Kreshnik Çollaku.

Ajo që bie në sy është fakti se në takimin me deputetët demokratë nuk ka qenë i pranishëm kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili pas shpalljes së Berishës non grata në vitin 2021 ka qenë një ndër deputetët me të cilin ambasada amerikane mbante kontakte të rregullta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë