Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën “Transparent Albania”, një portë për akses të shpejtë dhe të lehtë në informacion siç tha ai, që vendos transparencën buxhetore si prioritet.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kjo platformë do t’u japë mundësinë qytetarëve që të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë, sa shpenzohet dhe ku. Sakaq Rama theksoi se kjo platformë nuk është përfundimtare dhe se mund të ketë ndryshime në ndërtimin e saj.
Sipas Ramës kjo platformë do të funksionojë si urë e re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë.
“Bëhet fjalë për një instrument të ri, një platforme të re, urë e re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe gjërësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë. Për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës.
Informacionet e paverifikuara vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim. Platformë ku do ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare, do dinë se sa të ardhura shpenzohen dhe për çfarë shpenzohen.
Është një risi dhe sfidë e kësaj platforme është përditësimi i saj në kohë reale, duke marrë parasysh volumin që duhet përditësuar. Risia tjetër është interaktiviteti i saj. Deri sot një përfaqësues i medias apo qytetar i drejtohet një institucioni të caktuar dhe nuk merr përgjigje në kohë, pastaj i drejtohet komisionerit, pastaj ai institucionit. Bëhet fjalë për vonesa të palidhura me asnjë qëllim, por të lidhura me mungesën e këtij zakoni të administratës që të përgjigjet në kohë reale, që të përgjigjet në afat.
Me platformën çdo njeri që i drejtohet cilido institucioni me një kërkesë për të marrë informacion do ndjekë vetë në kohë reale statusin e kërkesës”, deklaroi Rama.
Edhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi se qytetarët do mësojnë në kohë reale në një gjuhë pa shumë burokraci dhe teknike se si dhe ku po shpenzohen paratë e tyre.
“Transparent Albania është një portë unike që do të mundësojë aksesin më të lehtë dhe më të shpejtë në një kategori të gjerë informacioni zyrtar dhe kontakti të drejtpërdrejtë me burimin e informacionit zyrtar, autoritetet publike. Natyrisht, sikurse premtuam, transparenca buxhetore do të jetë kryefjala e kësaj platforme kryesore. Buxheti i planifikuar dhe ai faktik i shpenzuar do të jetë lehtësisht i lexueshëm për qytetarët dhe bizneset, përmes një pasqyre vizive grafike mbi bazën e të dhënave të rakorduara periodikisht me Ministrinë e Financave dhe posaçërisht me thesarin”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.