Nga Gazeta 'Si'- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës socialiste nga foltorja e Kuvendit, duke e akuzuar për mbajtjen në Parlament të Olta Xhaçkës, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Kjo mazhorancë është kthyer në një parzmore për mbrojtjen e grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët,” deklaroi Berisha. Ai e cilësoi si “të pashembullt” faktin që ish-ministrja Xhaçka, sipas tij, mbrohet nga mazhoranca edhe pasi ka shkelur ligjet duke bërë bashkëshortin e saj investitor strategjik.
Berisha vijoi me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se lidhjet e tij me investimet strategjike e bëjnë atë bashkëpërgjegjës për abuzimet. “Edi Rama është 30% i investitorëve strategjikë,” tha Berisha, duke i cilësuar këto veprime si krime kundër publikut.
Kryetari i opozitës përshkallëzoi retorikën, duke thënë se mazhoranca injoron institucionet e drejtësisë dhe kontrollit të shtetit, dhe duke e akuzuar për përvetësim të fondeve të shëndetësisë. “Nëse ka një sektor ku janë kryer krime ndaj njerëzimit, është ai i shëndetësisë,” shtoi Berisha, duke pretenduar se pacientët po vuajnë nga mungesa e barnave për shkak të korrupsionit.
Berisha përfundoi fjalën e tij me paralajmërime të ashpra, duke u shprehur se qeveria do të përballet me pasojat e veprimeve të saj dhe akuzoi mazhorancën se ka tradhtuar besimin e qytetarëve.
“Kjo që ndodh në këtë Parlament është e pashembullt. Kjo mazhorancë është shndërruar në parzmore të grabitjes dhe plaçkitjes së pasurisë publike nga ministrat dhe qeveritarët.
Në historinë e Europës dhe të botës nuk ka ndodhur që një ministre pasi bëri burrin e vetë investitor strategjik, në shkelje të ligjeve, ju po mbani këtu në mënyrën më të paimagjinueshme njeriun e dënuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias.
Ky është një qëndrim ekstrem për të mbrojtur me çdo kusht vjedhjet e plaçkitjet që kanë bërë.
Fijet e Olta Xhaçkës që bëhet këtu personazh unik, janë të lidhura direkt me Edi Ramën sepse ky siç është bërë e njohur, është 30% i investitorëve strategjikë. Jeni si zogjtë në klloçkë, por klloçkës i vjen fundit dhe do dilni pa pupla. Mazhoranca Xhaçka, Kushtetuta Xhaçka!
Nëse ka një sektor ku janë kryer krime ndaj njerëzimit është ai i Shëndetësisë. Avoketërit e tyre nëpër studio thonë fjalët më të rënda për të sëmurët, fjalë që nuk i thotë kush kurrë! Pse kjo? Sepse ata vdesin, jo nga sëmundja, por nga ilaçet që nuk i marrin! Ju vidhni fondet”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.