Nga Gazeta 'SI' - Qeveria do të prezantojë së shpejti një faqe të Shqipërisë transparente.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin që u zhvillua me praninë e ambasadorëve të akredituar në vend.
Ai u shpreh se aty do të bëhet transparencë për çdo para që prokurohet dhe shpenzohet në Shqipëri.
“Ne po përgatisim, dhe së shpejti do ta prezantojmë një faqe të Shqipërisë transparente. E cila do të jetë një risi për nga pikëpamja e hedhjes në dritë të të gjithë aktivitetit të çdo gjëje që ndodh dhe që bëhet dhe çdo qindarke që prokurohet apo shpenzohet në Republikën e Shqipërisë sa na takon ne si pushtet ekzekutiv. Jemi të vetëdijshëm që gjërat për tu bërë janë shumë”, tha Rama.
Ndër të tjera, Rama u shpreh se ka pasur përpjekje për të penguar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke thënë se kryeministri ka një plan të errët për të bllokuar SPAK-un.
“Ambicia jonë është ta ta anëtarësojmë vendin brenda kësaj dekade, shtuar edhe plani i dakordësuar shumë agresiv së bashku me KE që t’i përfundojë detyrat brenda 2027, na e bëjnë të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat, dyshimet dhe lërë pastaj me akuzat apo edhe me përpjekjet për ta penguar procesin, natyrisht u gjet një fjalë magjike e ditëve tona që 6 muaj të shkonin dëm, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK dhe për të kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete dhe po thurin një komplot, kur përmend SPAK dhe drejtësinë ka shumë sensibilitet dhe shumë forca që angazhohen për të dalë në mbrojtje. E kisha të pamundur ta evitoja këtë çështje se dua t’ja kujtoj të gjithëve duke nisur nga aleatët dhe vijuar me ata që janë përfshirë si ekspertë”, tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij, kreu socialist deklaroi se Bashkimi Europian është i rreptë në procedurat dhe standardet që ndjek për realizimin e reformave me qëllim hyrjen e një vendi në BE.
“BE nuk fal asgjë, nuk duron asgjë, kur vjen puna tek standardet dhe kriteret që duhet të plotësojë një shtet nuk ka as gjeopolitikë, as luftë as kriza të çfarëdo natyre që mund ta bëjnë be, që hajt t’i mbyllim sytë. Është e vërtetë sa edhe Ukraina kur ka këtë mbështetje kolosale kur vjen puna tek hapat për të qenë në BE dhe s’do të jetë anëtare nëse s’i kryen detyrat. Ky proces është një bekim për ta ndërtuar Evropën këtu, është fat që jemi në qendër të Evropës dhe jo në Afganistan sepse kemi siç ka komision i posaçëm tërësi ekspertësh që sjellin dijen e tyre”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.