Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi është shprehur se Komisioni i Venecias në raportin e publikuar për mandatin e Olta Xhaçkës, ka konfirmuar qëndrimet e opozitës.
Në një reagim në Facebook, Bardhi shkruan se raportoi konfirmoi se qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.
Komisioni i Venecias, sipas tij, ka konfirmuar se qëndrimi i mazhorancës përbën një shkelje kushtetuese, duke mbështetur qëndrimin e opozitës se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kushtëzohet nga votimi i shumicës parlamentare.
“Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë”, shkruan Bardhi.
Më poshtë ai rendit qëndrimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese:
“Paragrafi 20:
Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi u detyrua të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret.
Paragrafi 22:
Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.
Paragrafi 57:
Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




