Politike

‘Pakti për Fëmijët’, ngrihet Komision i Posaçëm për të hartuar strategjinë

Nga Gazeta Si- 4 deputetë të opozitës kanë dorëzuar në Kuvend një iniciativë që vjen pas vdekjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.

Krahas Dashamir Shehit, Flutura Açkës dhe Enkelejd Alibeajt, deputetja Merita Bakiu tha se kjo ngjarje kërkon reflektim dhe ndërhyrje serioze për çështjet që prekin fëmijët.

Për këtë, deputetët kërkojnë ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të mandatohet për hartimin e “Paktit për Fëmijët”, që do të mbajë një strategji kombëtare për fëmijët në vendin tonë.

“Ne deputetët nënshkrues të këtij propozimi, duke iu referuar depozitave të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë paraqesim kërkesën për ngritjen dhe funksionimin e një komisioni të posaçëm parlamentar i cili do të mandatohet për hartimin e një strategjie kombëtare për fëmijët të quajtur “Pakti për Fëmijët”. Ky dokument synohet të jetë një platformë kohezive dhe bashkëkohore që do të adresojë nevojat aktuale dhe do të ofrojë zgjidhje të cilat përkojnë me interesat më të larta të qytetarëve. Dokumenti synon të tejkalojë çdo lloj interesi apo ideologjie partiake duke reflektuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe jo politizuese”, tha Bakiu.

Sipas deputetëve të opozitës, Kuvendi sot është në kushtet që duhet të luajë rolin e vet kushtetues dhe kjo është arsyeja pse ata zgjodhën këtë instrument si më të përshtatshmin për të arritur këtë objektiv.

“Vetëm një komision i posaçëm parlamentar mund të ofrojë një kornizë harmonike dhe gjithëpërfshirëse e cila shmang fragmentimin dhe politizimin që shpesh ndodh me nismat individuale apo të pjesshme. Ky komision do të punojë si një forum i përbashkët dhe gjithëpërfshirës ku përfaqësues nga të gjitha forcat politike, ekspertët e fushës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile do të punojnë së bashku për të përmbushur këtë objektiv të rëndësishëm”, tha Bakiu.

Pas kërkesës, Kuvendi ka vendosur ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për reformën “Pakti për fëmijët”.

Ky komision i posaçëm i cili do e shtrijë veprimtarinë e tij në një afat kohor 1 vjeçar, ka për qëllim të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi të legjislacionit dhe institucioneve përgjegjëse për garantimin e sigurisë së fëmijëve.

Tre janë objektivat e punës së këtij komisioni: Një vlerësim/analizë të situatës aktuale në të gjitha fushat që prekin/ndërthuren apo janë përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve; Hartimin e një Strategjie Kombëtare për Fëmijët, e cila të sugjerojë zgjidhje të problematikave aktuale bazuar në interesin më të lartë të fëmijës, si dhe parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare; Hartimin dhe  miratimin e ndryshimeve ligjore dhe institucionale, bazuar në zgjidhjet strategjike për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 21 anëtarë, nga të cilët 11 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 10 përfaqësues të pakicës parlamentare. Emrat e anëtarëve përcaktohen me vendim të Kuvendit, duke patur në konsideratë konfigurimin e Kuvendit sipas partive politike me përfaqësim parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë