Nga Gazeta 'SI' - Deklaratat e deputetes Albana Vokshi gjatë komisionit hetimor të shëndetësisë, kanë nxitur një reagim nga përfaqësuesit e kontratës së kontrollit të Check Up-it.
Vilma Nushi, përfituesja kryesore e koncesionit të Check Up ka njoftuar se do të marra masa ligjore ndaj deputetes Vokshi, pasi sipas saj ka folur për “miliona që ekzistojnë veç në imagjinatën e saj”.
“Ne nuk do të lejojmë që këtë histori suksesi të projektit të Kontrollit Mjekësor Bazë, punë dhe përpjekje të mëdha të këtyre njerëzve që kanë marrë pjesë në këtë projekt, ta nxijnë asnjë person, qoftë edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Prandaj, ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ndjekur gjyqësisht këto deklarata të pavërteta të znj. Vokshi, të cilat kanë dëmtuar rëndë imazhin e shoqërisë dhe jo vetëm”, shkruhet në reagimin e Nushit.
Në deklaratën e gjatë, ajo shpjegon se akuza e Vokshit për mosndërtimin e laboratorëve nuk qëndron, pasi kontrata e koncesionit nuk kufizon marrjen me qira sipas vendit. Nushi quan sajesa të gjitha akuzat e deputetes demokrate për shkelje me TVSH-në, mbetje spitalore jashtë standardit apo edhe denoncimin e rëndë, për rritje të numrit të diabetikëve me qëllim përfitimi nga shitja e ilaçeve.
Sipërmarrësja, në reagimin e saj mohon gabime në përgjigjet e analizave, pasi të gjithë laboratorët janë të certifikuar.
“Arritëm t’i certifikojmë laboratorët dhe 100% të analizave tek firma prestigjioze angleze Randox, ku dhe vazhdojnë të certifikohen çdo vit. Ai që është i fushës e kupton sa e rëndësishme është kjo. Prandaj, nxjerrja e analizave me gabime që kryetarja e komisionit hetimor na tregoi natën e datës 13 Nëntor nuk ekziston, sepse janë të ruajtura të gjitha filet e certifikimit të pajisjeve që tregojnë të kundërtën e pretendimeve të saj”, thuhet në deklaratë.
Investimet shtesë, të papërfshira në kontratë, Nushi i justifikon me nevojën për ndërhyrje në në qendrat e largëta shëndetësore, ku kushtet ishin të papërshtatshme për operim.
Nushi thotë se projekti nuk ka marrë fitimin e parashikuar për shkak të kostove shtesë që ka pasur dhe thekson se bilancet e kompanisë janë publike në QKB.
Në fund të reagimit, drejtuesja e koncesionit të Check Up thotë se “gojët e liga” i shkaktuan dëm qytetarëve duke i bindur për të mos marrë pjesë si dhe imazhit të kompanisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.