Nga Gazeta 'Si'- Pas zbardhjes së Vendimit të Gjykatës së Apelit e cila e dënoi me 1 vit heqje lirie, Ervin Salianji ka reaguar nga burgu i Fierit, duke i cilësuar qesharake, skandaloze dhe monstruoze vendimet e gjykatës.
Sipas Salianjit, në vendimet juridike të gjykatës bëhet politikë, përkundër provave dhe argumenteve ligjoreve dhe thekson se të gjitha dëshmitë e deklarimet vërtetojnë se gjithçka është denoncuar është e vërtetë.
“Kjo e vërtetë, në fakt ka detyruar gjykatën të përpëlitet e të mashtrojë hapur dhe të shmange leximin e provave duke prodhuar një turp! Ky është momenti dhe leximi i parë, më tej, do të bëj publike të gjithë manipulimet dhe shkeljet e këtij vendimi të marrë nga Edi Rama e të zbardhur me vonesë, me turp nga Gjykata”, shkruan ish deputeti i PD.
Salianji ka shkruar se aty ku duhet të kishte prova, argumente ligjore, fakte të pastra, se ku është shkelur ligji, është shkruar sipas tij me delire të këtyre përmasave idioteske, se si bëhet politikë.
"Dhe si bëhet politikë e përcaktojnë gjyqtarët", thotë ai.
"Lexojeni:
'….Në përgjithësi deklarimet publike përfaqësojnë "modus operandin" me anë të së cilës politikanët apo përfaqësuesit e grupimeve te mëdha politike në pushtet apo në opozitë, prezantojnë shqetësimet për fenomene te ndryshme, që u kanë tërhequr vëmendjen atij/atyre, partnereve ndërkombëtare, shoqërisë shqiptare veçanërisht kur është fjala për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit'..
Ky paragraf dhe të tjerë si ky, e besoni apo jo, shkruhen në një arsyetim gjykate, pasi e kanë syrgjynosur dikë në izolim!", shkruan Salianji në reagimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.