Politike

‘Ky do të jetë buxheti i fundit që miratoni’, Noka në Kuvend: Kryeministri u tall me pensionistët, ju e duartrokitët

Nga Gazeta 'Si'- Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama ku prezantoi buxhetin 2025, i pari që mori fjalën ishte deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili u shpreh se ky do të jetë buxheti i fundit që mazhoranca do të ketë mundësinë të miratojë, pasi në zgjedhjet e 2025, sipas tij populli do të dijë kujt t’ia japë votën.

Në lidhje me fjalën e Ramës, Noka u shpreh se gjithçka ishte gënjeshtër dhe ironizoi reagimin e socialistëve me duartrokitje në kohën kur Rama fliste duke i paralelizuar me mbledhjet e pleniumit të Partisë Komuniste.

'Kur isha i ri shihja pleniumet e partisë suaj, ka neveri më të madhe se kjo që pamë sot? Tha gënjeshtra, u trefishua buxheti. U tall me pensionistët dhe ju duartrokitët.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore paralajmëron rritje të inflacionit. Gënjeu, 50 mijë lekë ka qenë bonusi dhe rrogë të 13 në kohën e Berishës. Ku e ka ky rrogën e 13 për administratën? Foli për bonusin e bebeve kur 60 për qind e bebeve lindin sot jashtë vendit. Tha i keni lënë rrugët rrugëve, kur që nga 2014 ka ndërtuar vetëm 20 km autostradë, edhe atë me çmime 10-fish më të larta.

Mbetja e pareciklueshme ka vetëm rrugën e largimit vitin tjetër, sepse ky është buxheti i fundit që do të keni mundësi të miratoni', tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë