Partia Demokratike kërkoi hetim pasuror të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, me pretendimin se ai ka aplikuar për ndërtimin e një kompleksi vilash në Farkë.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh në një deklaratë për mediet se Ministri i Drejtësisë në formularin e deklarimit të pasurisë dorëzuar në 31 Mars 2024 ka shënuar blerjen e një pasurie të paluajtshme tokë me sipërfaqe 1000 m2, me një vlerë të pacaktuar, dhe pa deklaruar kohën e blerjes e as burimin e krijimit të të ardhurave.
“Pasi investoi 3 milionë lekë për blerjen e një sipërfaqeje toke buzë liqenit të Farkës, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja synon që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindra-mijëra euro brenda një kompleksi vilash me pishina dhe mure rrethuese buzë liqenit të Farkës nën dyshimet për anashkalimin e çmimeve të tregut dhe konfliktin e interesit”, u shpreh ajo.
Vangjeli theksoi se detajet e marrëveshjes mes pronarëve të tokës janë të panjohura dhe nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga ministri Manja në ILDKPKI në vitin 2023.
Sipas saj, Manja e bleu tokën në vitin 2021 nga zyrtari i Erjon Veliajt, Arben Maloku, i cili mbante në atë kohë detyrën e administratorit të njësisë vendore të Zall Herrit, pjesë e Bashkisë së Tiranës.
Tre vjet pas blerjes së tokës të cilën e ka deklaruar në ILDKPI vetëm në 2024 dhe jo në kohën reale të blerjes, sipas po të njëjtit burim, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës për projektin e një kompleksi vilash, së bashku me pronarë të tjerë të tokave fqinje në Farkë, u shpreh Vangjeli.
Vangjeli tha se Bashkia e Tiranës ka konfirmuar aplikimin për leje ndërtimi kryer më 26 prill, kërkesa është protokolluar në bashki më 10 qershor të këtij viti, dhe ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit administrativ.
Ndaj, Vangjeli tha se Partia Demokratike kërkon me urgjencë dorëheqjen e Ulsi Manjës nga detyra e ministrit dhe apelon SPAK-un të nisë hetimet e menjëhershme për pasurinë e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.