Politike

‘Tendera korruptiv në Bashkinë Tropojë’, Bardhi: SPAK të veprojë, Këshilli i Ministrave të shkarkojë Rexh Biberajn

Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi punën e Komisionerit të Prokurimit Publik, duke theksuar se ka lejuar krijmin e skemave "5D" si në Bashkinë e Tiranës, edhe në bashkitë e tjera të vendit.

Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ndal tek Bashkia e Tropojës, duke theksuar se kryebashkiaku Rexh Biberaj, i ka dhënë rreth 5 milionë euro tendera kushëririt të tij.

Ai i kërkoi SPAK-ut të veprojë në lidhje me këtë rast.

Duke përmendur konkretisht disa procedura prokurimi, Bardhi theksoi se: "Kryeatri i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shumë se 4.7 milion euro.  Kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait të tij edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurentë në garë, pesë të skualifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet sërish djali i xhaxhait".

Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Tropojë, që është nën akuzë nga SPAK për 3 vepra penale : Atë të “Shpërdorimit të detyrës”, “Prerjes së paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrimit të pronës”, duke shkaktuar një dëm të madh financiar prej 2.8 milion euro.

“Ligji për vetqeverisjen vendore detyron Këshillin e Ministrave të shkarkojë nga detyra Rexh Biberajn, sipas nenit 62/1/a të ligjit. Mosveprimi në këtë rast është shkelje flagrante e ligjit”- u shpreh Bardhi.

Nisur nga fakti që këto tendera korruptiv janë kallëzuar prej kohësh në SPAK, Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të veprojë pa vonesa.

“SPAK duhet të mbrojë interesin publik dhe të veprojë për këto tendera korruptiv dhe në kushtet e konfliktit të interesit, që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin”- theksoi Bardhi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë