Politike

Protesta e 35-të e opozitës, PL akuzon SPAK, PD i bën thirrje të hetojë punonjësit e Bashkisë së Tiranës

Nga Gazeta Si- Opozita ka organizuar protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, një protestë që zgjat prej 9 muajsh tashmë, ku kërkohet dorëheqja e kryetarit Erion Veliaj për shkak të dosjes 5D.

Edhe pse është java e 35 që mblidhen për të njëjtën kauzë, deputetë të opozitën kanë shfrytëzuar këtë protestë për të folur edhe për ngjarje aktuale.

Ishte Tedi Blushi ai që tha se të 12 drejtorët e rinj të policisë së shtetit janë të lidhur me krimin e organizuar dhe janë vendosur aty vetëm për një shërbim, si të vjedhin vota për Edi Ramën.

“Besoj e morët vesh se kush do të jenë 12 drejtorët e rinj të policisë së shtetit. Të gjithë të lidhur me krimin e organizuar. Dhe janë vendosur aty vetëm për një shërbim se si të vjedhim vota për Edi Ramën. Se si të vjedhin vota për Erjon Veliajn. Asnjë besim edhe tek kjo strukturë. Ndaj është koha që drejtësinë ta bëjmë ne. Ndaj është koha që ta arrestojmë ne Erjon Veliajn, çdo ditë në revoltë, çdo ditë ne përballje. Dhemb për dhëmb me çdo sakrificë deri sa ti shporrim”, tha Blushi.

Ai hodhi edhe një herë tjetër akuza ndaj Altin Dumanit, duke thënë se askush nuk mund të ketë me besim te kjo drejtësi sepse “Altin Dumani, tashmë është një Erion Veliaj i drejtësisë, tashmë është një Edi Rama në krye të Drejtësisë, sepse ai është vendosur aty vetëm ne funksion të agjendave politike dhe personale te Edi Ramës. Vetëm për të mbështetur hajdutërinë e Erjon Velisë. Asnjë besim te kjo strukturës, asnjë besim te kjo strukturë”.

Ndërsa Belind Kelliçi tha se “arritja e vetme e kreut të 5D, në këtë 9 muaj është gjoba ndaj qytetarëve të Tiranës”.

“Këtu po shkëlqejnë aferat korruptive me në krye Plarent Ndrecën, që një kapele të policëve e tenderonte 350 euro, e ndërkohë që me rrogat që kanë policët, nuk ushqejnë familjet e tyre. Sa herë ne kemi pasur përballje me policinë e shtetit ne kemi thënë se nuk jemi këtu për të protestuar kundër tyre, por po protestojmë kundër hajdutëve që vjedhin edhe paratë e familjeve dhe fëmijëve të tyre”, tha Kelliçi.

“Kam një thirrje të drejtpërdrejt për SPAK, hetoni të gjithë punonjësit apo ish-punonjësit, që janë thirrur për të grisur dokumentet e vjetra në këtë protokoll, për të ndryshuar dokumentet apo për të firmosur praktika të prapambetura për të justifikuar vjedhjet e Erion Veliajt dhe drejtuesit e tij", shtoi ai.

Teksa po zhvillohej protesta, një efektivi të policisë i ka rënë të fikët dhe kanë qenë kolegët e tij dhe qytetarët që e kanë dërguar në një automjet të policisë për të shkuar më pas në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë