Politike

Fushata për votat e shqiptarëve në Angli, Rama udhëton drejt Londrës javës tjetër, Berisha takim virtual

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama do jetë në Londër javën që vjen, më 24 nëntor.

Ai do të takohet me shqiptarët që jetojnë në shtetin ishull, ndërsa vijon turin në disa qytete ku jetojnë shqiptarë. Kreu i qeverisë zhvilloi takime në Milano dhe Athinë gjatë javëve të fundit.

Nga ana tjetër edhe kreu i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime online me qytetarët që jetojë jashtë kufijve.

Në pamundësi për të qenë fizikisht, pasi ndodhet në arrest shtëpie dhe i shpallur ‘non grata’ nga Anglia, Berisha, njoftoi përmes një postimi në Facebook se do të zhvillojë takim virtual me shqiptarët e Londrës. Takimi do të bëhet ditën e diel 17 nëntor.

Atje do t’i mirëpresë Floriana Garo, anëtare e Kryesisë, Alfred Lela, Drejtor i Komunikimit dhe Besart Xhaferri, Kryetar i FRPD.

“Ky takim është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë shqiptarët e diasporës që të bëhen pjesë e diskutimeve tona mbi çështjet e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. #DiasporaZgjedhAtdheun”, shkruan Berisha në faqen e tij zyrtare.

Ndërsa na ndajnë pak muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të dyja kahet kryesore politike në vend po punojnë për sigurimin e votave të Diasporës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë